Të martën pritet të filloj viti i
ri shkollor, e me këtë rast disenjatorja e njohur Lia Stublla përmes fondacionit
të saj “LS Foundation”, i solli sot në Ferizaj 50 çanta me pajisje
elementare shkollore, të cilat do t’iu
dhurohen fëmijëve në nevojë.
Stublla tha se këto ndihma janë shumë
të vogla krahasuar me nevojën e madhe që kanë familjet kosovare, mirëpo në këtë
mënyrë synojnë që sado pak t’i ndihmojnë nevojtarët.
“LS fondacion ka tri vite që grumbullon fonde për me i ndihmu
fëmijët. Prioritet i kemi fëmijët të cilët nuk kanë mundësi me u
shkollu, me ndjekë kurse, shkolla, me u regjistru në fakultet dhe kështu e kemi
bërë një fondacion që mendojmë për ta. Sigurisht numri është shumë i
madh, ne nuk mundemi me i përfshi të gjitha rastet, por ne po mundohemi që
sado pak me zbut këtë situatë”, tha Stublla.
Në këto ditë pandemie kur maska
është e domosdoshme të mbahet, Stublla është kujdesur që në secilën
çantë të fus edhe nga një maskë.
“Jemi munduar që brenda çantës me qenë të gjitha mjetet që u
duhen fëmijëve për me fillu mësimin, shtesë aty ka edhe maska që stafi
ynë është munduar që brenda çantës të ketë edhe maskë ”LS” marrë
parasysh situatën që është me virus, majde e kam bërë edhe një shkrim
për fëmijët që mos të dorëzohen kurrë pa marrë parasysh se çka ndodhë”, tha Stublla.
Këtë donacion e pranoi drejtori i Arsimit
Afrim Llabjani, i cili u shpreh falënderues ndaj donatores.
“Shprehim mirënjohje ndaj
“LS fondacion” që sot na ka dhuruar këto 50 çanta për t’i pajisur nxënësit
në nevojë në këtë kohë të vështirë kur e dimë që ekonomitë familjare
janë rënduar shumë si pasojë e kësaj pandemie dhe ky donacion është një
ndihmesë shumë e madhe për ta. Ne fatkeqësisht jemi në një situatë që
akoma nuk e kemi të qartë se si do të ndodhë procesi mësimor gjatë kësaj
periudhe, por sido që të jetë këto çanta janë jashtëzakonisht ndihmesë e
madhe“, tha
Llabjani.
Përveç donacionit të sotëm në
Ferizaj, Stublla ka dhuruar edhe 50 çanta për fëmijët në nevojë në
Prishtinë dhe 50 në shoqatën ”Nëna dhe fëmijë të lumtur”.