Në kuadër të fazës së dytë të lehtësimit të masave është paraparë edhe nisja e stërvitjeve të klubeve të futbollit që ekzistojnë në Kosovë.
Drejtuesi i klubit të futbollit “Ferizaj”, Nadir Haxhimusa, tha se nesër do t’i ftoj lojtarët që t’i nisin stërvitjet, edhe pse pohon se do të kenë telashe për shkak se në sport nuk mund të respektohen udhëzimet e institucioneve shëndetësore për mbrojtje nga Covid-19.
“Dje kemi marrë lajmin se mund të fillojmë stërvitjet në grupe. Dihet që dy muaj nuk kemi mundur me bë stërvitje ndërsa nga nesër do të fillojmë, do të jetë problem pasi në Kosovë nuk janë kushtet adekuate dhe nuk e di se si do t’ia dalim, kemi lojtarë nga qytete të ndryshme, po ashtu i kemi tre lojtarë nga shtetet e tjera dhe nuk e di se si do të arrijmë të funksionojmë pasi frika mund të jetë edhe tek vet lojtarët dhe ndikon vullneti më së shumti”, tha Haxhimusa.
Edhe Qerim Shaqiri drejtues i klubit të futbollit të femrave “Vizioni”, thotë se do të kenë shumë probleme gjatë organizimit të stërvitjeve.
“Pandeminë e theu liga gjermane dhe ne nuk mund të dalim jashtë kornizave të tjera. Janë rekomandimet prej Ministrisë së Shëndetësisë edhe të Federata e Futbollit të Kosovës të cilët e kanë menaxhuar situatën në formën më të mirë, mirëpo distanca sidomos në lojën e futbollit nuk ka shans me u mbajtë, por kushtet janë të tilla dhe duhet t’iu adaptohemi. Për fillimin e kampionatit femëror ende nuk është marrë vendim dhe ligave të tjera, por do të shohim më vonë se si do të menaxhohet vazhdimi ose rifillimi i kampionatit tek meshkujt dhe nëse bëhet menaxhim i mire besoj që do të shihet e rruges me u liru edhe femrat”, tha Shaqiri.
Pandemia globale Covid-19 u shkaktoi dëme edhe më të mëdha klubeve futbollistike në vend. Megjithë problemet e shumta që kishte me financa edhe para përhapjes së këtij virusi, gjendja në klubin e futbollit “Ferizaj” është rënduar edhe më shumë.
Më mirë nuk qëndron as klubi i futbollit “Vizioni”.