Kuvendi Komunal i Ferizajt do të mbledhet të mërkurën për të mbajtur një seancë të jashtëzakoshme ku pikë të vetme të rendit të ditës do ta ketë ndarjen e një shume financiare për mbrojtje nga pandemia Covid-19.
Inicues për mbajtjen e kësaj seance është asamblisti Amir Rexhepi. Ai tha se i ka mbledhur 15 nënshkrime nga kuvendarët për t’u thirrur kjo seancë, në mënyrë që të ndahen mjete buxhetore për menaxhimin e koronavirusit.
“Duke parë gjendjen në të cilën po ndodhemi dhe duke parë që shumica e komunave kanë ndarë mjete për të menaxhuar këtë pandemi, atëherë unë vendosa që t’ia jap një propozim kryetarit të komunës dhe kërkova nga kryesuesja që të thërras një seancë të jashtëzakonshme në mënyrë që edhe ne si Kuvend i Ferizajt të ndajmë mjete për menaxhimin e kësaj pandemie në mënyrë që t’u dalim në ndihmë edhe familjeve skamnore që ta përballojnë më lehtë këtë pandemi. Propozimi im ka qenë 100 mijë euro, por duke e parë që komuna e Drenasit ka ndarë 229 mijë euro, po ashtu komuna e Dragashit ka ndarë 150 mijë dhe mendoj se komuna jonë mund të ndaj edhe më shumë, tani të shohim se çfarë shume do të ndaj kryetari i komunës sonë”, tha Rexhepi.
Ndërsa, kryesuesja e Kuvendit Komunal të Ferizajt Kristina Gashi-Bytyqi, tha se për shumën që do të ndahet do të diskutohet me kryetarin e komunës.
“Duke e parë këtë situatë kryetari e ka përmendur që do të mbahet një seancë, megjithatë do t’i shohim nevojat se sa do t’i përballojmë si komunë që t’i mbështesim qytetarët. Të hënën do ta bëj ftesën për një seancë të jashtëzakonshme për ndarjen e mjeteve financiare për mbështetje të familjeve në nevojë. Të hënën do të bëhet ftesa, kurse të mërkurën do ta mbajmë senacën dhe do të jetë vetëm një pikë e rendit të ditës. Ndërsa shumën do ta diskutojmë të hënën dhe kryetari do të na tregoj mjetet prej cilës kategori do të merren dhe si do të shkoj ky proces”,tha Gashi.
Për të respektuar distancën sociale, kryesuesja Gashi-Bytyqi tha se seancën do të mbajnë në palestrën e sporteve ”Bill Clinton” ose në teatrin e qytetit.
“Do t’i respektojmë të giitha masat që janë marrë deri më tani, duke e ditur se nuk kemi të drejtë të afrohemi më shumë se 1 metërne në sallën e kuvendit nuk mund ta mbajmë seancën, por do të shohim mundësitë që ta mbajmë në sallën e sporteve apo në teatër, por këtë vendim do ta marrim të hënën”, tha Gashi.
Për të menaxhuar situatën me pandeminë Covid-19 mjete financiare kanë ndarë edhe disa komuna të tjera të Kosovës.