Nga ora 10:00 deri në orën 16:00 nëpër rrugët e Ferizajt shihet numër shumë i vogël i veturave duke qarkulluar, mirëpo një gjë e tillë nuk vërehet edhe pas orës 16:00 deri në orën 20:00 kur qytetarët kanë të drejtë të lëvizin për të plotësuar nevojat elementare.
Gjatë këtyre orëve kolonat e veturave janë të gjata, ku qytetarët më së shumti po ia mësyjnë marketeve.
Menaxheri i “Interex”-it në Ferizaj, Zgjim Musliu, thotë se në këtë orë numri i konsumatorëve është shumë i madh. Ai thekson se pavarësisht masave që kanë marrë për t’u mbrojtur nga virusi Covid-19, në këto orë të lejuara për lëvizje është problem të mbahet distanca sociale për shkak të numrit të madh të qytetarëve.
“Edhe për neve po është problem me menaxhu këtë pjesë pasi edhe jo të gjithë konsumatorët po e kuptojnë se sa është me rëndësi me mbajtë distancën, edhe pse ne i kemi marrë masat por po është problem e veçanërisht nga ora 16:00 deri në orën 20:00 po është një fluks shumë i madh i konsumatorëve. Ne si kompani e kemi marrë masën që kur të bëhet shumë fluks me i mbyll dyert dhe me i hap për grupe të vogla, kjo për me i ruajt konsumatorët”,tha ai.
Duke parë këtë situatë që po krijohet, ai kërkoi nga institucionet që të rishikojnë vendimin për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.
“Kishte me qenë mirë me pas parasysh me rishiku këtë vendim, kufizimi i lëvizjes me qenë nga ora 08:00 deri në orën 16:00, pasi kështu po rritet fluksi shumë, do të ishte mirë me rishiku edhe një herë këtë vendim”, tha ai.
Ndërkaq, Policia e Ferizajt është duke zbatuar vendimin e qeverisë. Patrullat e Policisë janë duke ndaluar qytetarët të cilët po lëvizin gjatë kohës sa është e ndaluar dalja, madje ata që nuk kanë arsye për dalje janë duke u gjobitur.
Komandanti i Policisë Rajonale në Ferizaj Qazim Reka, u bëri apel qytetarëve që t’iu shmangen sa më shumë daljeve.
“Siç janë të njoftuar edhe qytetarët ka filluar zbatimi i vendimit të ardhur nga qeveria, vendimet janë duke u zbatuar nga qytetarët që edhe i falënderojmë, por pas orës 16:00 është e liruar lëvizja e qytetarëve, njerëzit kanë nevojë me dalë dhe dalin, mirëpo po dalin më shumë se që duhet, prandaj ne iu bëjmë apel qytetarëve që këtë kohë t’i shmangen nëse munden daljes, pasi rreziku është edhe pasdite që të ketë infektime nga ky virus”, tha Reka.
Duke parë fluksin e madh të qytetarëve pas orës 16:00, ka reaguar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës duke iu bërë thirrje atyre të mos rrezikojnë shëndetin e tyre dhe të qytetarëve të tjerë.