Pas rasteve të para me koronavirus në Kosovë dhe pas shpalljes së gjendjes emergjente në shëndetësi, qytetarët kanë vërshuar marketet dhe mullinjtë për t’u furnizuar me miell, duke bërë kështu që në to të mos gjendet më ky produkt elemetar për jetë. Përfaqësues të marketeve në Ferizaj thonë se kanë mbetur pa miell, meqë furnizuesit nuk po ua sjellin atë përkundër kërkesave të vazhdueshme që janë duke bërë.
Pronari i “Plus Marketit” në Ferizaj, Sylejman Neziri, tha se ka më shumë se 1 javë që në marketin e tij nuk ka miell për konsumatorë.
“Miell ka sa të duash, por nuk janë duke e shpërnda edhe pse ne çdo ditë bëjmë kërkesë. Sot kemi biseduar me ata, na kanë thënë me na pru veç për furrë dhe jo për konsumatorë, këtu është monopol i miellit, e kanë në dorë 2-3 veta, por edhe pushtetarët. Për konsumatorë ka më shumë se 1 javë nuk kemi, na kanë thënë që me na pru veç për furrë, kurse mua konsumatorët çdo ditë po më thërrasin se kur vjen mielli”, tha Sylejman Neziri, pronar i “Plus Marketit” në Ferizaj.
Edhe pronari i marketit ”Eli-Ab” në Ferizaj, Basri Sopa, tha se nuk ka asnjë kilogram miell në depot e marketit të tij. Ai tha se furnizuesit e kanë rritur çmimin e miellit prej afër 10%.
“Për momentin ne nuk kemi asnjë kilogram miell, kemi mundësi me u furnizu por ka lëvizur çmimi për 7-10% më lartë ne ku furnizohemi, për këtë arsye derisa të bie çmimi në nivelin ku ka qenë nuk do të furnizohemi, kemi bërë kërkesa tash po na thonë me 8% më shtrenjtë, ka sasi të mjaftueshme të miellit, por çmimi ka lëvizur dhe për këtë arsye ne nuk do të furnizohemi, problemi është vetëm tek çmimi. Po besoj se brenda një jave do të furnizohemi dhe me çmime siç kanë qenë më herët, përndryshe situata është e rëndë dhe ne nuk po duam me shfrytëzu këtë situatë. Ne jemi duke e pritur sasinë tjetër me një çmim më të ulët që besoj se do të vjen brenda një kohe shumë të shkurt”, tha Basri Sopa, pronar i marketit “Eli-Ab”.
Miell nuk gjendet as në ”ETC”-në e Ferizajt. Mirëpo, aty thonë se ditëve në vijim do të furnizohen mjaftueshëm me këtë produkt.
“Në ”ETC” në Ferizaj kohë pas kohe kemi miell dhe për momentin nuk kemi miell, por ditët në vazhdim do të kemi furnizim të miellit dhe do të ketë sasi të mjaftueshme, ne e kemi depon tonë që furnizohen të gjitha ”ETC”-të, kohë pas kohe ka miell, por ka kërkesa të shumta, për momentin çmimi është i njëjtë”, tha Argjend Berisha, përfaqësues i ”ETC”-së në Ferizaj.
Derisa marketet në Ferizaj nuk janë duke u furniziuar me miell nga furnizuesit vendor, ministrja e Ekonomisë, e Tregtisë dhe e Industrisë, Rozeta Hajdari, ka bërë thirrje që të mos bëhet panik pasi në Kosovë ka mjaftueshëm miell.