Qytetarët e Ferizajt kanë reduktuar daljet nëpër qendër të qytetit, por jo edhe në parkun “Liria”.
Ditëve të fundit aty është parë fluks i madh i qytetarëve të cilët po thyejnë monotoninë e qëndrimit në shtëpi edhe përkundër thirrjeve të organeve të shtetit për të qëndruar në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit COVID-19.
Duke parë këtë veprim të qytetarëve, Policia e Ferizajt së bashku me shtabin emërgjent që është formuar në këtë qytet, kanë marrë vendim që të mos lejojnë grumbullimet e qytetarëve nëpër vendet publike.
“Dje kemi marrë informatë se ka pasur disa qytetarë nëpër parkun e Lirisë dhe në fshatin Jezerc dhe sot është mbajtur një takim në këshillin komunal në lidhje me këtë problem dhe është marrë vendim që këto tubime të shpërndahen nga policia. Prandaj, ne apelojmë tek qytetarët që mos të tubohen në grupe si organizime të piknikut e të ndryshme sepse policia do të ndërmarrë masa dhe nuk do të lejoj grupet e qytetarëve, po ashtu edhe nëpër qytet ku hasen grupe do të bëhet shpërndarje”, tha zëdhënësi i PK në Ferizaj Agim Gashi.
Gashi tha janë duke u angazhuar maksimalisht për të siguruar jetën e qytetarëve në këto rrethana të krijuara.
“Përpos punëve primare apo punëve të përditshme, në këtë situatë edhe policia e ka rolin e vet dhe është duke kryer punën me sukes. Të gjithë pjesëtarët e policisë janë të angazhuar. Sa i përket gjendjes së sigurisë është e kënaqshme, nuk kemi probleme të theksuara, përveç që jemi duke u angazhuar më shumë në këtë situatë”,tha Gashi.
Policia e Ferizajt dhe drejtues të komunës së Ferizajt ripërsëritën thirrjen që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, apo të reduktojnë daljet si masë paradaluese për përhapjen e pandemisë COVID-19, i cili ka prekur thuajse tërë globin.