Edhe në qytetin e Ferizajt frika nga koronavirusi ka shtyrë qytetarët që të sigurojnë rezerva të produkteve ushqimore. Një gjë të tillë e konfirmojnë në qendrën tregtare ”ETC” dhe “Emona”. Përfaqësues të këtyre dy bizneseve që operojnë në Ferizaj thonë se mielli, si artikull elementar për jetë, ka qenë produkti më i shitur këto ditë.
“Sa i përket artikujve të tjerë esencial siç është qumështi, vaji, sheqeri jemi të përgatitur, jemi të mobilizuar dhe jemi në shërbim të qytetarëve, ndërsa sa i përket miellit ende nuk kemi informacione se kur do të ketë furnizim, por në momentin që do të ketë furnizim do t’i njoftojmë edhe qytetarët se ka arritur mielli dhe i shërbejmë. Jemi të furnizuar me të gjitha masat mbrojtëse siç janë maskat, dorëzat për të gjithë punëtorët dhe orari është duke vazhduar normalisht siç ka qenë edhe më herët vetëm që është zvogëluar orari i punës, tani është nga ora 08:00 deri në ora 20:00”, tha Argjend Berisha, menaxher i ”ETC”-së.
“Po, kryesisht është i furnizuar mirë marketi me produkte të gjitha, përveç miellit që ka mungesë në pëgjithësi në Kosovë, presim që në ditët në vazhdim të furnizohemi edhe me miell, përndryshe nuk ka vend për panik diçka, furnizim ka të mjaftueshëm, gjërat ushqimore janë të gjitha, me vaj, me të gjitha. Orari i punës është deri në orën 8 në mbrëmje sot, nga sot ka hyrë në fuqi dhe po respektohet mirë, besoj që respektohet edhe nga ana e konsumatorëve, nuk do të kemi ndonjë telashe. Para dy netëve e kemi dezinfektuar nga një kompani e komunës, gjithçka është në rregull, edhe nga ana e restorantit edhe pse nuk punon e kemi dezinfektuar, edhe marketin gjithashtu”, tha Besnik Salihu, menaxher i ”Emona”.
Ndërkaq, Qerim Bega nga ndërrmarrja tregtare “Belushi” në Ferizaj, e konsideron shqetësuese mungesën e miellit.
“Po, realisht ka probleme në treg, çalon furnizimi. Ne kemi qenë të furnizuar relativisht mirë, por për shkak të kësaj fushate, të kësaj historie që është krijuar, na janë paraqitur probleme, të gjitha rezervat që i kemi pasur në stok janë shpenzuar. Kemi pasur furnizime kohë pas kohe, mirëpo realisht për shkak të rrethanave të krijuara ato as përafërsisht nuk i kanë mbuluar as kërkesat elementare sepse ndoshta nevojat i kanë plotësuar, por kërkesat me të cilat ne jemi ballafaquar në treg. Ka njerëz që janë dy, tre anëtarë në familje, kanë ardhë i kanë marrë kah 500, 600, 700 kilogramë, pra ata kanë bërë rezerva për një periudhë afërsisht një vjeçare, mirëpo ka edhe familje që ankohen sepse kërkojnë vetëm një thes t’ua siguroj, por paraqiten momente kur nuk mundem t’ua siguroj për shkak se ne kemi pasur furnizime, por në momentin kur ka ardhur kamioni për më pak se dy orë tërë sasia që ka qenë e vendosur është shpenzuar”, tha Qerim Bega.
Ministrja e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ditën e djeshme në një konferencë për media, ka thënë se ka rezerva të mjaftueshme ushqimore.
“Dua t’iu konfirmoj qytetarëve se rezervat shtetërore të mallrave janë të ruajtura në depot tona, të cilat janë të kompletuara nga aspekti sasior dhe cilësor. Kryesisht rezerva për mallrat si gruri, mallrat agro ushqimore, nafta dhe barnat”, tha ajo.
Aty u tha se do të vazhdoj kontakti i afërt me furnizuesit e rezervave shtetërore dhe se situata është nën kontroll për shërbim sa më të mirë të qytetarëve.