Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës është moment reflektimi që duhet ta ndjek spektri politik në Kosovë dhe
të krijohet unitet mes vete, thonë liderë të subjekteve politike në Ferizaj,
derisa në Kosovë po shënohen ditët e lavdishme të UÇK-së 5,6 dhe 7 marsi.
Ata thonë se pa marrë parasysh pikëpamjet dhe
qëndrimet e tyre politike, lidershipi i Kosovës duhet të bëhet bashkë për të
ndërtuar të ardhmen e vendit, por më së shumti unitet duhet të ketë në
politikën e jashtme.
“Unë besoj se kombi ynë ka qenë vazhdushëm i bashkuar dhe ditët kur
është kërkuar të që jemi unik dhe padyshim se dita si kjo është ditë që edhe më
parë na ka bashkuar, emblema tri shkronjëshe është emblemë që i ka bashkuar të
gjithë. Sot nuk jemi në situata të favorshme, edhe paqja ka sfidat e veta dhe
unë po besoj se nga kjo ditë duhet të merret frymëzimi që agjendat dhe sfidat
që janë para nesh vetëm bashkë mund të kalohen më lehtë. Jam i bindur që
lidershipi i Kosovës, i të gjitha niveleve, do të gjejnë rrugën e duhur dhe
mënyrën që nderimin më të madh t’ia bëjmë dëshmorëve duke respektuar gjakun e
derdhur dhe pikërisht për të ndërtuar të ardhmen dhe e ardhmja e sigurt është
nëse kemi unitet“,
tha Agim Aliu, kryetar i PDK-së në Ferizaj.
“Spektri jonë politik në raport me politikën e jashtme duhet të jetë
i bashkuar, të jetë unik, këtë e kemi dëgjuar edhe dje në fjalimet e
kryeministrit që ka bërë thirrje për bashkim dhe të jenë së bashku në
qëndrimet e politikës së jashtme. Ne
këtu brenda mund të kemi edhe dallime, por edhe mendime ndryshe, mirëpo në politikën e jashtme nuk mund të ketë.
Dikush që ndaras ose vet bën takime, bën marrëveshje të fshehura e tek pas disa
muajve të publikohen, pra duhet që të
bashkërendojnë qëllimin, njëjtë siç e kishte Epopeja para 22 viteve”, tha Valon Ramadani, kryetar i LVV-së
në Ferizaj.
“Natyrisht që Epopeja është një refleksion për domosdoshmërinë e një
uniteti të vazhdushëm të spektrit tonë politik, por i cili sigurisht është edhe
rezultat i zhvillimit të demokracisë dhe i votës demokratike që përcakton se
kush duhet ta udhëheq Kosovën, por pavarësisht faktit se kush në cilën anë
gjendet, është i obliguar që ta ndihmoj zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës
për të cilin kemi nevojë të gjithë, por edhe gjeneratat që vijnë sepse për fat
keq në tërë historinë tonë kombëtare
kemi pasur mungesë të një uniteti të plotë i cili jo rrallë ka prodhuar pasoja
të padëshiruara për kombin dhe unë besoj
se tani me ngritjen e vetëdijes më të lartë politike, por edhe
shtetformuese që ky unitet është edhe në rritje, por do të jetë edhe në të
ardhmen”, tha
Muharrem Svarqa, kryetar i LDK-së në Ferizaj.
“Kjo liri nuk ka ardhë rastësisht, por janë sakrifikuar shumë
gjenerata dhe shembulli më i mirë është shembulli i komandantit legjendar me të
gjithë familjen e tij dhe normal që ka qenë shembulli më i mirë i unifikimit të
shqiptarëve, të një lufte të përbashkët dhe tani ne e gëzojmë këtë liri, por
fatekqësisht nuk e kemi unitetit që po kërkohet dhe nuk besoj se do të ketë
unitet ndonjëherë, sepse në demokraci bëhet garë për pushtet dhe kjo do të
vazhdoj sa të ketë njerëz, por në rrethanat aktuale të shtetndërtimit tonë dhe
në momentin që ne ende nuk kemi një shtet të mirëfilltë dhe të pranuar
ndërkombëtarisht duhet të ketë një unifkim të politikës së jashtme dhe në
politikat e jashtme duhet të jemi të gjithë në një fjalë, në një qëndrim dhe në
këtë drejtim duhet të ndryshohet dhe është obligative sa më shpejtë të
ndryshohet që të kemi një politikë unifikuese në Kosovë, që të lobojmë të
gjithë, pozitë e opozitë, për njohjen e Kosovës si shtet sovran në Kombet e
Bashkuara dhe për një zhvillim më të mirë
dhe përkrahje ndërkombëtare, pasi shtetet e pafuqishme ekonomike,
ushtarake dhe politike nuk mund të zhvillohen dhe të ekzistojnë pa përkrahjen
ndërkombëtare, e sidomos të fuqive të mëdha”, tha Xhavit Zariqi, kryetar i AAK-së
në Ferizaj.
Këta liderë të subjekteve në Ferizaj
bën thirrje që të vendosen interesat kombëtare para atyre partiake.