Gjatë ditës së djeshme anëtarët e Komitetit
për Politikë dhe Financa ia proceduan Kuvendit Komunal të Ferizajt rregulloren
e cila ua cakton orarin dhe ditët e punës veprimtarive afariste që operojnë në
Ferizaj.
Por, një ditë më parë në komunën e Ferizajt ishte dorëzuar një peticion nga 148 biznese të kësaj komune, të cilat janë shprehur kundër kësaj rregulloreje, mirëpo ky peticion nuk u prezantua fare në mbledhjen e KPF-së.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal të
Ferizajt Kristina Gashi-Bytyqi, thotë se ky peticion i erdhi asaj në zyrë tek
pas mbledhjes.
“Është e vërtet që peticioni është dorëzuar më 19.02.2020, mirëpo
tek ne në zyrë është pranuar dje pasi kemi përfunduar mbledhjen kështu që nuk e
kemi pasur këtë peticion më herët dhe ne
ende jemi duke e shqyrtuar bashkë me kryetarin se çka duhet të bëjmë në hapat
në vazhdim sepse janë edhe disa kritere në bazë të rregullores së transparencës së komunës së Ferizajt, kështu
që ne do ta bëjmë vlerësimin në bazë të kritereve dhe patjetër se jemi të
obliguar nëse i plotëson kriteret edhe ta shqyrtojmë në Kuvend”, tha Gashi-Bytyqi.
Bytyqi, thotë se kjo rregullore ka
ardhur si kërkesë e bizneseve dhe vet qytetarëve të Ferizajt, e cila, sipas saj,
është në favor të tyre dhe më së shumti iu konvenon punëtorëve.
“Nëse i plotëson kriteret ky
peticion në bazë të rregulllores për transparencë ne patjetër do ta kemi në Kuvend,
ne jemi të interesuar që të merret një vendim i rëndësishëm në favor të
qytetarëve dhe jo t’iu shkaktojmë dëme qytetarëve. Ne kemi menduar dhe
sigurisht edhe kryetari dhe të tjerët që kanë punuar në atë rregullore janë
bazuar në kërkesa të shumta të qyetarëve, sidomos të punëtorëve, por edhe të
pronarëve të bizneseve ku është menduar se do të jetë në favor dhe jo në dëm të
bizneseve, kështu që unë po mendoj se bashkërisht do të vendosim në seancë se a
do të marrim vendim për këtë rregullore apo jo”, tha ajo.
Në anën tjetër, avokati Admir Salihu thotë
se më e udhës do të ishte që komuna të inspektonte bizneset se a i respektojnë
të drejtat e punëtorëve sesa t’ua ndaloj punën të dielën.
“Unë mendoj se propozimi i kryetarit apo edhe nëse deputetët e votojnë e
kanë më lehtë të ndalojnë të dielën të punojnë në krejt Ferizajn sesa të merren
në mënyrë specifike për t’i realizuar të drejtat e punëtorëve qysh i parasheh
ligji, sepse punëtorit i takojnë dy ditë pushim në javë, është pak e
rëndësishme për punëtorin a e ka të hënën, të martën, të shtunën apo të dielën,
unë mendoj se komuna është dashur të merret
me të drejtat e punëtorëve të shohin se a kanë punëtorët kontrata të punës, a
respektohen ato kontrata të punës, a paguhen ditë ekstra për ditë pushimi e më
pastaj të merren në mënyrë më specifike, unë mendoj se Kuvendi Komunal do të mund të votonte që çdo punëtori në
komunën e Ferizajt t’i ketë dy ditë pushim dhe së bashku me biznesin të
përcaktohet se kur mund t’i marrë ato të drejta, të hënën, të shtunën apo të
dielën”, tha Salihu.
Rregullorja për caktimin e orarit dhe
ditëve të pushimit për veprimtaritë afariste në Ferizaj, do të dalë për miratim
në Kuvend të premtën e javës së ardhshme.