Derisa në seancën e ardhshme të
Kuvendit Komunal të Ferizajt pritet të dalë për miratim rregullorja për
caktimin e orarit të punës së veprimtarive afariste dhe veprimtarive të tjera
në territorin e Ferizajt, qendra tregtare “The Village”, në të cilën operojnë dhjetëra biznese të
ndryshme, këtë rregullore e konsideron tejet të dëmshme.
Mauro Abruzzes, menaxher i kësaj
qendre, thotë se kjo rregullore do t’ua pamundësoj atyre të jenë konkurrent me
qendrat e qyteteve të tjera, por edhe do të ndikoj në uljen e numërit të
punëtorëve.
“Kjo iniciativë fatkeqësisht
është një iniciativë që do ta dëmtoj kompleksin “The Village”, që
është më i madhi dhe më i rëndësishmi në Ferizaj, ku në të janë të punësuar mbi
800 persona. Në industrinë e qendrave
tregtare nuk mund të lejohet që e diela të jetë mbyllur, pasi qendrat tregtare
janë target i familjeve dhe të gjithë e dimë se familjet shfrytëzojnë kohën së
bashku në ditë vikendi në këtë qendër tregtare, të premtën, të shtunën dhe të
dielave, pasi që gjatë javës të gjithë punojnë, kurse në vikend janë më të
lirë. Kjo iniciativë mund të na krijojë probleme neve si “The
Village” pasi që nuk mund të jemi konkurrent me qendrat tjera tregtare të
cilat janë në qytete të tjera duke filluar nga Prishtina dhe kjo mund të vë në
krizë repartin blerës në “The Village” pasi që do të shkaktonte edhe
reduktim apo largim të fuqisë punëtore”, tha Abruzzes.
Abruzzes, thotë se për të
kundërshtuar këtë propozim kanë organizuar edhe një peticion të cilin e kanë
dorëzuar gjatë ditës së djeshme në komunë.
“Mund t’iu them si drejtor gjeneral i qendrës që së bashku me pronarët
e qendrës kemi shikuar mundësinë se si të kundërshtojmë këtë iniciativë të
komunës që do të na dëmtonte shumë neve si direkt ashtu edhe indirekt. Ne në
mënyrë civile jemi duke u munduar që ta përmbysim këtë iniciativë të komunës
dhe për këtë kemi organizuar një peticion me të gjithë banorët e Ferizajt dhe
familjet që direkt dhe indirekt e shfrytëzojnë qendrën tregtare “The
Village”, tha
ai.
Komuna e Ferizajt edhe në prill të
vitit 2019 kishte tentuar që ta miratoj këtë rregullore për caktimin e orarit
të punës së veprimtarive afariste dhe veprimtarive të tjera që operojnë në
Ferizaj, por e kishte tërhequr me arsyetimin se duhet një përgatitje më e
thellë, për ta rikhyer përsëri tek gati pas një viti.
Ndryshe, një rregullore të tillë e ka miratuar
edhe komuna e Vushtrrisë. Këtë formë të
ndërhyrjes në ekonominë e lirë të tregut e kanë kundërshtuar edhe Autoriteti
Kosovar i Konkurrencës, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në
Kosovë. Në një prononcim për gazetën ”Expresss”
ata janë shprehur se këto rregullore janë në kundërshtim me nenin 10 dhe nenin
119 të Kushtetutës së Kosovës si dhe në kundërshtim me dispozitat e ligjit të
punës neni 30 dhe 31.