Ka
më shumë se dy javë që udhëheqësi
i Zyrës së Prokurimit në Ferizaj, Fehmi Reka, nuk është duke menaxhuar me këtë
zyrë, pas ndryshimeve që ka bërë në këtë pozitë pushteti i udhëhequr nga Agim
Aliu. Ndërrimi i udhëheqësit të Zyrës së Prokurimit në Ferizaj pa ndonjë
paralajmërim, po vlerësohet shqetësues nga shoqëria civile, meqë ka të bëj me
jotransparencë.
Kenan Gashi nga rrjeti i organizatave
joqeveritare AVONET, thotë se për këtë ndryshim është dashur të njoftohet
Kuvendi Komunal dhe qytetarët.
“Nuk kemi asgjë të veçantë se çka ka ndodhur dhe pse është tërhequr
ky person apo është shkarkuar nga kryetari i komunës. Për fat të keq kemi një
izolim total të institucionit dhe kjo mostransparencë ka treguar dhe tregon se
as nuk janë të informuar institucionet siç janë Kuvendi, shoqëria civile dhe
qytetarët, kështu që një izolim i tillë ka krijuar edhe mosinformimin e duhur.
Ne presim ndryshimin pozitiv nëse ka ndodhur ndryshimi për shkaqe të
angazhimeve apo ndryshimeve pozitive, por siç kemi informacione është se ka
pasur pakënaqësi mes këtyre dy personave për çështje personale. Shoqëria civile
ka dilema të vazhdueshme për qeverisjen e dobët, keqpërdorimin e parasë publike,
por edhe mosrealizimin e objektivave”, tha Gashi.
Kurse, opozita në Ferizaj konsideron
se ndërrimet e zyrtarëve komunal në pozita të caktuara po bëhen pa bazë
ligjore. Gëzim Kokollari nga LDK-ja, thotë se sa herë që kryetari nuk po bie në
ujdi me zyrtarët e vet për interesa personale, po i shkarkon ata.
“LDK konsideron se ndërrimet që janë bërë që nga fillimi janë në kundërshtim të plotë me ligjin për shkak
se personi që ka qenë dhe që e ka degraduar zotëri Aliu ka qenë një person profesionist
i licensuar për këtë punë, por për interesa të tyre e ka bërë dikë tjetër dhe
pikërisht edhe tani për interesa për ndarje të kulaçit të tortës siç duket janë
prishur dhe kjo ka ndikuar që tani të emërohet një njeri tjetër në këtë pozitë.
Megjithatë, ndërrimi i pozitave nuk i arsyeton veprimet e deritanishme të Zyrës
së Prokurimit pasi ajo i përgjigjet direkt kryetarit, prandaj përgjegjës për të
gjitha të bëmat e kësaj zyre mbeten përgjegjësi e kryetarit të komunës”, tha Kokollari.
Lidhur me këtë çështje, Televizioni Tema
tentoi të marrë një përgjigje nga komuna e Ferizajt, mirëpo ata nuk pranuan të
flasin me arsyetimin se është herët të flitet për këtë. Edhe Fehmi Reka, nuk
pranoi të flasë para kamerës, mirëpo tha se është larguar nga kjo pozitë pas
një marrëveshje që kanë bërë me kryetarin Agim Aliu, por nuk tregoi se për çfarë
marrëveshje bëhet fjalë.
Merret vesh se kryetari Aliu në vend
të Rekës ka emëruar zyrtarin e Drejtorisë së Financave, Arsim Osmanin.