Një ditë pas formimit të qeverisë së
re me kryeministër Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, qytetarët ferizajas e
vlerësuan pozitivisht këtë ndryshim për Kosovën. Edhe pse ka të atillë që kanë
pritur më shumë nga Kurti gjatë seancës së djeshme, të tjerët shpresojnë që
premtimet e bëra do të realizohen.
“Për qeverinë e re shpresojmë që i ka fjalët siç po premton, më mirë nuk
na duhet neve”, tha
Bajram Gashi.
“50%
nëse realizohet është mjaftueshëm, vetëm 50% nëse realizohet, mjaft është sepse
nuk kemi pasur deri sot asgjë”, tha Bahri Nebiu.
“Të gjitha që i ka premtuar Kurti, çka ka thënë do t’i plotësojë. Këta
“llopovat”, a e keni parë në seancë çka kanë bërë, çfarëdo i kanë thënë, mirëpo
të gjitha janë vetëm fjalë të tyre. Ia kanë lënë fajin tjetër kujt, mirëpo të
gjitha të këqijat i kanë bërë ata të gjithë nga Thaçi e poshtë. Partia e PDK-së
është e helmuar sikur Serbia që i ka helmuar 8 milionë, këta PDK-ja kanë
helmuar dhe nuk kanë më, nëse edhe fëmijët 5 apo 10 vjeç i fusin në punë, sepse
të gjithë i kanë futur në punë dhe sipas krizës edhe ata e shohin si është dhe
thonë merr sa të duash sepse edhe unë po marrë pak”, tha Hamëz Ismajli.
“Me qeverinë e re asgjë nuk pres,
më keq se me të parën. Janë parë dje diskutimet e tij, nuk e ka përmendur
Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe dëshmorët. Kjo është qeveri e vdekur akoma
para formimit”, tha
Zylfi Beqiri.
“Kanë
mbërritur dhe kanë bërë ata çka kanë bërë, tani më nuk kanë mundur të bëjnë më
shumë. Shpresojmë që këta të tjerët të bëjnë më mirë, nuk kanë qenë kurrë në qeveri,
pritet shumë dhe do të bëhet mirë. Ka qenë i nevojshëm doemos ndryshimi. Për
fillim mjaft ka prezantuar plane, pastaj pas 4 viteve kur të fillon prapë,
besoj që bënë diçka më shumë akoma”, tha Fadil Hetemi.
“Vetëm 40% t’i realizoj më shumë nuk duhet, të tjerat nuk ka nevojë
njëherë. Deri dikund jemi të kënaqur, po shpresojmë për më të mira”, tha Nagip Sinani.
”Shpresojmë të bëhet mirë për rininë, për njerëzit e moshuar, për të
gjithë, për një jetë normale”, tha Vahide Sinani.
Qeveria e re e Kosovës përbëhet nga
15 ministri, me 12 prej të cilave do të udhëheqin Lëvizja Vetëvendosje dhe
LDK-ja, ndërsa tri të tjera u takojnë
minoriteteve.