Njëri ndër zanatet më të vjetra në
qytetin e Ferizajt është ai i këpucëtarit. Edhe pse punët tradicionale në ditët
e sotme rrezikojnë të zhduken, Genton Sojeva ka vite që merret me këtë zanatë.
Ai thotë se këtë punë e ka trashëguar nga babai i tij, mirëpo në ditët e sotme,
interesimi për rregullimin e këpucëve nuk është siç ka qenë më herët.
“Babai im i ndjerë ka punuar 56 vite këtë punë, unë e kam trashëguar nga
ai. Unë e punoj këtë punë që 18 vite. E kam dashur, është punë e mirë dhe punoj
tamam me qejf. Ka dallim të madh sepse më parë ka pasur më shumë punë, tash më
pak, është problemi që ka zgjedhje tash për shembull janë këpucët lirë dhe
pastaj i blejnë lirë, nuk kanë llogari të vijnë t’i rregullojnë, vetëm kur i
blejnë shtrenjtë atëherë vijnë i
rregullojnë. Për shkak që taket kanë problem me femra kemi punë më shumë, me
meshkuj kemi më pak, sepse janë ndoshta më të forta pak, nuk po e di”, tha Genton Sojeva.
Edhe pse interesimi nga qytetarët për
t’u marrë me këtë zanatë nuk është i madh, Sojeva thotë se do ta vazhdoj atë edhe
në të ardhmen.
“Më
herët ka pasur shumë kërkesa që të vijnë ta bëjnë këtë punë, të bëhen zejtarë,
por në 10 vitet e fundit nuk ka njerëz që vijnë edhe thonë kam dëshirë të bëj
këtë zanatë. Unë sa të jem gjallë besoj që do e vazhdoj këtë punë”, tha
Genton Sojeva.
Familja Sojeva punëtorinë e tyre të
këpucëtarisë e ka hapur nga viti 1994.