Kuvendi Komunal i Ferizajt mbajti mbledhjen
e fundit për këtë vit. Në këtë seancë pa ndonjë diskutim u miratuan propozimet
e ekzekutivit që ishin proceduar për sot,
por shumë debat ngjalli propozimi i LDK-së për raportimin mbi gjendjen e
shëndetësisë ferizajase, konkretisht shqetësimi i Burim Karametës, për siç thotë
ai, konsumimin e alkoolit nga punëtorët shëndetësor brenda orarit të punës.
Drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj
Bekim Ademi, tha se do të angazhohen për të vërtetuar nëse ka ndodhur një gjë e
tillë, duke formuar një komision për këtë rast. Megjithatë, ai më shumë u
fokusua në punët e realizuara gjatë këtij viti.
“Sa i përket këtij viti ka
qenë vit me angazhime dhe sfida dhe me suksese të njëpasnjëshme, sa i përket sfidave
edhe në këtë vit jemi përballur me të metat që na i ka lënë qeveria e kaluar,
240 mijë euro janë marrë nga përmbaruesi në vitin 2018, mbi 156 mijë këtë vit
nga përmbaruesi dhe më e dhimbshmja është mbi 47 mijë euro janë marrë nga shtëpia
bazë në komunitet nga personat të cilët janë me probleme mentale dhe kjo ka
ndodhë falë keqmenaxhimit të qeverisjes së kaluar”, tha Ademi.
Ndaj këtyre akuzave reagoi
ish-kryetari i komunës nga LDK-ja Muharrem Svarqa, duke shprehur dyshimet e tij
për bashkëpunimin e komunës së Ferizajt me përmbaruesit.
“E vërteta është që flitet aq pa turp për 41 milionë euro borxhe,
por nuk flitet me kompetencë kur flitet për përmbaruesit se cilat janë masat që
ka ndërmarrë qeveria komunale që të parandaloj marrjen e mjeteve nga projektet.
Sipas informacioneve që kemi, kemi një të vërtet që komuna e Ferizajt nuk ka
bërë asnjë prapësim në masat e përmbaruesve privat në dobi të operatorëve
ekonomik dhe të merren aq shumë miliona përmes përmbarimit pa asnjë reagim të
komunës kjo flet qartë për bashkëpunimin e sektorëve të caktuar me përmabruesin”, tha Svarqa.
Debat më i gjatë u zhvillua në mes të
asamblistit të LDK-së Burim Karameta dhe atij të PDK-së Lulzim Abazi.
“U akuzova se unë kam 182 familjarë të punësuar në QKMF, me u ulë e me qajtë
unë më shumë se 15 veta familjarë të mi nuk jetojnë në Ferizaj, në shëndetësi
është i punësuar vetëm vëllai im. Ky drejtor, kur kam qenë unë drejtor ka ardhë
në zyre të unë dhe ka thënë familjarja ime e ngushtë a ka mundësi me ia vazhdu
kontratën dhe me kushtin me ardhë unë në LDK”, tha Burim Karameta.
“Unë veç po du me kujtu që nuk e
mban mend Ferizaj asnjë projekt kapital në qeverisjen e Muharrem Svarqës, nuk e
di me cilin projekt mundet me u mburrë
dhe me sa fytyrë dalin e akuzojnë qeverisjen lokale ku projektet e kësaj komune
veç po preken nga qytetarët. Shëndetësia në kohën e Burim Karametës ka qenë
katastrofale”, tha Lulzim Abazi nga PDK.
“Po flitet për menaxhim, edhe Luli në mënyrë indirekte mundet me i
kontribu kësaj. Ka një raport të auditorit të jashtëm që flet për secilin, nuk
është mirë që të reduktohen kështu gjërat, sa u përket projekteve nuk dua të
flas, por kjo qeveri lokale është duke i realizuar projektet e qeverisë së kaluar,
tjetër është që bënë përpjekje me i përvetësu”, tha Muharrem Svarqa.
Asamblisti Ali Halimi nga Nisma
Socialdemokrate, i bëri ftesë publike Prokurorisë së Shtetit t’i hetoj këto çështje.
“Ka mundësi me u bë mirë në shëndetësi, por një e di që drejtori nga
ajo që e njoh nuk është hajn dhe kjo është me rëndësi, ai nuk i ka bërë 3-4
banesa, këtu u fol për miliona euro të keqpërdorura, unë këtu e thërras Prokurorinë
e Shtetit që të merret me këto akuza“, tha Halimi.
Pas gjithë kësaj, drejtori i Shëndetësisë
Bekim Ademi, u shpreh i bindur se asnjëherë nuk e ka keqpërdorur paranë
publike.
“Ju falënderoj për sugjerimet, kritikat që ishin me vend do t’i përmirësojmë
ndërsa ato të cilat janë të pabaza nuk na pengon të ecim tutje. Nëse e gjeni
vetëm një njeri që 5 centë ia kam dhënë, jam në gjendje me bë edhe aktin më të
marrë, vetëvrasje”, tha Ademi.
Në këtë seancë, pas kërkesës së Nehat
Mustafës, raportoi edhe drejtori i Arsimit Afrim Llabjani në lidhje me mosdhënien e bursave të studentëve,
i cili tha se mjetet që ishin ndarë për studentë janë marrë nga përmbaruesi,
por janë duke bërë përpjekje që ato mjete t’iu kalojnë sa më parë studentëve.
Pas heqjes së parë të taksës për biznesegjatë
mandatit të parë të kryetarit Aliu dhe rivendosjes së saj nga administrata e
kaluar dhe e tanishme, sërish kuvendarët e Ferizajt hoqën taksën e bizneseve me
të cilën ngarkoheshin disa kategori të veprimtarive në komunën tonë.
Po ashtu, në këtë seancë u miratua
Rregullorja Komunale për Transparencë, propozim vendimi për ndryshimin e
Statutit të KRU “Bifurkacioni” nga Ndërmarrje Publike Lokale në Ndërmarrje
Publike Qendrore dhe Plani i Punës së Kuvendit të Komunës të Ferizajt për vitin
2020.