Për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të
Shqipërisë të prekur nga tërmeti që ndodhi në mëngjesin e djeshëm, Këshilli i
Studentëve të UBT-së në Ferizaj ka grumbulluar batanije, rroba e gjëra të tjera
të dobishme për të mbijetuarit e tërmetit. Njëri nga studentët e UBT-së, Vigan
Haziri, thotë se një gjë e tillë po bëhet vullnetarisht nga studentët.
“Ka rroba, ka edhe të holla materiale që kanë dorëzuar, por varet secili
sipas mundësive të tyre, por gjithçka po bëhet me qëllime të mira dhe me gjithë
zemër. E gjithë kjo do të zgjatë deri të premtën, pasi që të përfundoj kjo të
gjitha do të shkojnë në Shqipëri, në vendet e caktuara”, tha Vigan Haziri.
Ndërkaq, me iniciativën e asamblistës
së Kuvendit Komunal të Ferizajt, Bahrije Hyseni, 10 persona nga Forumi i Gruas
dhe ai Rinor i LDK-së së Ferizajt, u nisën drejt Durrësit për të dhuruar gjak
për personat e mbijetuar nga tërmeti.
“Ne kemi vendosur të japim nga vetja edhe gjak për vëllezërit dhe motrat
andej kufirit që janë duke u ballafaquar me katastrofën natyrore kështu që unë i
falënderohem shumë gjithë këtyre të rinjve që i janë bashkëngjitur aksionit për
dhurimin e gjakut, sepse nuk na dhimbset asgjë. Fundi i fundit misioni im si
asambliste për këtë iniciativë është t’iu tregojmë të gjithë qytetarëve, të
gjithë kombit shqiptarë se asgjë nuk na dhimbset për vëllezërit dhe motrat deri
në pikën e fundit të gjakut”, u shpreh Bahrije Hyseni.
Nga fshati Bibaj i Ferizajt për në
Shqipëri sot është nisur edhe një kamion i mbushur me veshmbathje.