Bletarë nga Ferizaj janë shpërblyer
me medalje dhe certifikata për kualitetin e mjaltës në garat ndërkombëtare në Tetovë, të
organizuara nga shoqatat “Qyteti i bletëve” dhe “Mjalti i Pollogut” të Tetovës.
Ndër fituesit ishin Nehru Salihu me dy medalje të arta dhe një të argjendtë, Skënder
Grainca me dy medalje të arta, ndërsa Zeqir Imini, Enver Ibishi, Rasim Hamiti
dhe Ramiz Sherifi me nga një medalje të artë. Ata thanë se ekspertët gjatë
vlerësimit janë mahnitur me cilësinë e mjaltit nga Ferizaj.
“Nga Ferizaj morëm pjesë 6 bletarë, sa e dimë ne, megjithëse organizatori
nuk i ka bërë publik emrat e atyre të cilët nuk ishin fitues të medaljeve për
shkak të ruajtjes së autoritetit të tyre që njerëzit të mos i keqpërdorin emrat
e tyre. Në mesin e parametrave të tjerë të cilët ishin për verifikimin e
kualitetit ishte edhe lagështia e mjaltës, sepse edhe mjalti përmban një sasi
të caktuar të ujit. Kjo i tejkaloi ata kufijtë e laboratorit të cilët ata i
kishin të parapara, sepse mjalti i klasit të parë duhet të ketë lagështi dikund
deri tek 18%, mirëpo mjalti ynë zakonisht ka dalë me lagështi nën 15% dhe kjo i
ka befasuar edhe organizatorët, sepse në rubrikën e vlerësimit të lagështisë së
mjaltit ata e kishin paraparë 15 deri në 18% ku mjalti ynë ka dalë kryesisht me
lagështi nën 15%, ky është një parametër shumë i rëndësishëm i cili dëshmon
edhe kualitetin e mjaltit”, tha Nehru Salihu.
Edhe bletarët tjerë fitues u shprehën
të kënaqur me rezultatet e punës së tyre.
“Me bletë merrem në mënyrë profesionale qe 7 vite, ndërsa prindi dhe
babagjyshi kanë pasur bletë edhe më herët. Kemi 460 shoqëri bletësh, jam fitues
i dy medaljeve të arta në Tetovë”, tha Skënder Grainca.
“Merrem
me bletë kaherë, prindi merret me bletë kohë të gjatë, por intensivisht jam
duke u marrë unë që dy vitet e fundit, po e zëvendësoj prindin. Ka qenë një
garë në Tetovë, garë ndërkombëtare, kanë marrë pjesë rreth 15 shtete ku kanë
qenë dikund rreth 239 mostra, prej tyre kam aplikuar edhe unë dhe më është vlerësuar
mjalta më cilësorja në vend”, theksoi Enver Ibishi.
“Jam ndarë i kënaqur shumë, është
me rëndësi që po e di cilësinë e mjaltës sime se çka është, kjo është me
rëndësi më së shumti”,
tha Zeqir Imini.
“Kjo medalje në garat e Tetovës
është medalja e tretë për mua këtë vit. Medaljen e parë të artë e kam marrë në Novobërdë,
të dytën të argjendë me të njëjtën mjaltë e kam marrë në Sazin të Bosnjës dhe e
treta tash në Tetovë. Jemi të kënaqur me kualitetin e mjaltës, jemi të kënaqur
edhe me rendimetet e mjaltës këtë vit, mirëpo siç thash jemi të kënaqur me
kualitetin, gjë e cila tregon për natyrën e rajonit të Ferizajt si dhe me bletarët,
kolegë të tjerë që është një natyrë shumë e mirë, është natyrë që premton për
ardhmëri në bletari”,
tha Rasim Hamiti.
Gjatë garave, analizat e mjaltës kanë
kaluar në dy faza, analiza organoleptike dhe analiza laboratorike.