Klubi i Rotarianëve të Ferizajt ka
marrë iniciativë për shenjëzimin e shtigjeve të këmbësorëve. Ata filluan së
pari në fshatin Jezerc të komunës së Ferizajt duke vendosur shenja për
orientimin e qytetarëve që i duan shëtitjet në natyrë. Kryetari i klubit
”Rotary” në Ferizaj Gani Berisha, tha se këto shtigje mund të përdoren edhe
për çiklistë dhe motoristë.
“Sivjet kemi filluar me këtë iniciativë dhe është bërë hapi i parë në
vendosjen e shenjave ku ne e kemi identifikuar një shteg përafërsisht nga 15
km, të cilin do ta shenjëzojmë të tërin në mënyrë që qytetarët të cilët
dëshirojnë të shëtiten ta kenë të qartë orientimin dhe nga do të ecin apo të
ngasin biçikleta. Një ndihmë të madhe janë duke na e dhënë edhe rotaraktorët
tonë të cilët janë pjesa e rinisë e rotarianëve, mirëpo për këtë aktivitetet
një falënderim të veçantë duhet t’ia dedikojmë anëtarit tonë, Dr. Xheladin
Reçicës, i cili ka qenë edhe kryetar i klubit vitin e kalur që e njeh shumë
mirë këtë terren për shkak edhe të kohës së kaluar si mjek në shtabin e UÇK-së,
mirëpo edhe për arsye që një kohë pak më të gjatë është duke jetuar këtu, na ka
ndihmuar shumë në identifikimin dhe në këtë iniciativë me një kontribut të
jashtëzakonshëm”, u
shpreh Gani Berisha.
Ndërkaq, sa i përket sigurisë nëpër
këtë shteg, sekretari i rotaraktorëve të këtij klubi Armend Haxhidema, tha se
janë krijuar lehtësira teknologjike.
“Në shenja do të vendosen edhe QR Code ku përmes skanimit të QR Code-it
me Smartphone mund të marrësh udhëzime për në pika të caktuara. Për të mos
humbur, përmes telefonit mund të vish prap tek pika ku është nisur ose pika të
caktuara ku do të vendosen shenjëzimet, mund të marrësh udhëzime përmes
telefonit”, njoftoi
Armend Haxhidema.
Krejt kjo punë po bëhet në mënyrë
vullnetare nga anëtarët e këtij klubi, të cilët do të vazhdojnë me
identifikimin dhe shenjëzimin e shtigjeve edhe nëpër pjesë të tjera të kësaj
ane.