Vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës
për rritjen e çmimit të sigurimit të veturave për 26 përqind, qytetarët e
konsiderojnë të papranueshëm.
Albert Fazliu, pronar i kompanisë
transportuese ”Arditi”, thotë se
tarifat e reja do t’i shkaktojnë humbje biznesit të tij.
“I kemi 20 autobusa dhe 20 vetura taxi në kompaninë tonë “Arditi
Tours” dhe neve na dëmton shumë, kur e kemi pas një aksident të vogël e
hypnin sigurimin dyfish dhe me këtë 26% është shumë ngritje e lartë e çmimeve.
Javën e ardhshme ish një protestë dhe të gjithë do të shkojmë, është e papranueshme.
Mbi 8 mijë euro do të kemi humbje“, tha Albert Fazliu.
Fatmir Osmani, qytetar nga Ferizaj, konsideron
se në këtë mënyrë po plaçkiten xhepat e qytetarëve.
“Vjet e kam pagu sigurimin 240 euro, ka pas vëllai aksident fajtorë
të dy ishin dhe nga kjo shumë tash do të
paguaj 320, për një aksident do të
paguaj 100 euro më shumë. Kjo është shumë e dëmshme, për disa kohë do të
paguajmë 100 euro më shumë, kjo është hajni”, tha Osmani.
E, përfitues të kësaj rritje janë
kompanitë e sigurimeve. Përfaqësues të kompanive të sigurimeve në Ferizaj, thonë se kjo rritje
do t’iu ndihmoj atyre që të inkasojnë më shumë të hyra.
“Të premtën e kaluar BQK-ja i ka rritur çmimet bazë, tarifat për
sigurim diku 26%, që ndryshon çmimi bazë për polisën e sigurimit, këtu nuk
ndryshojnë bonuset dhe zbritjet nuk
prekën ato, por vetëm çmimi bazë i tarifës për kompanitë e sigurimeve. Ka pas
ankesa, por presim që edhe qytetarët t’i kuptojnë këto ndryshime për arsye se
shumë kompani të sigurimeve kanë operuar në Kosovë me humbje të mëdha, për këtë arsye është bërë që
janë rritur tarifat për me i mbulu disa dëme që i kemi ne si kompani për t’i
paguar për arsye se aksidente ka shumë dhe për këtë arsye janë bërë që edhe me
i vetëdijësu qytetarët që të kenë më shumë kujdesë në komunikacion, pasi në
rast se nuk bënë aksident sigurimet nuk kanë me qenë të shtrenjta. Për kompaninë
është pak më mirë pasi inkasojnë më shumë mjete“, tha Besart Shabani, udhëheqës
i kompanisë së sigurimeve “Kosova e
re”.
”Kjo tarifë ka hyrë në sistem të premtën ku çdo qytetar tani e tutje me
një sigurim të TPL-së të automjetit 2 mijë kubik nuk paguan 284 euro por 233
euro, është shqetësim për qytetarë e dimë, por kjo ka të bëjë me një vendim të
një autoriteti që është i thirrur për atë, ne mundohemi si kompani e sigurimeve
që të ofrojmë shërbime të mira për qytetarë, është me rëndësi fundamentale që
automjetet në rrugë të dalin të siguruara, megjithatë është politikë e Bankës
Qendrore kjo”, tha
Selim Shabani, udhëheqës i kompanisë së sigurimeve “SigKos”.
Sipas këtij vendimi të BQK-së çmimet
për tarifat e automjeteve janë rritur sipas centimetrit kubik, nga më e ulëta
deri te më e larta. Për automjetet prej 0 deri në 750 centimetër kubik që
aktualisht paguhet 59 euro, çmimi do të rritet në 74.71 euro. Ndërkaq, tarifa
më e lartë, që vlen për automjetet mbi 2701 centimetër kubik, e cila është
aktualisht 247.80 euro, çmimi i ri do të jetë 313.78 euro.