Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka
bërë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme
parlamentare të mbajtura më 6 tetor. E, në përbërjen e legjislaturës së re do
të ketë më shumë deputetë nga Ferizaj të cilët për herë të parë do të marrin
pozitën e deputetit.
Ndër ta është asamblisti i Kuvendit
të Ferizajt nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Haliti, i cili për herë të parë i
hyri kësaj gare dhe arriti të marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet.
Haliti, ish-pjesëtar i UÇK-së, ndërsa
pas luftës aktiv në jetën politike, thotë se i ka hyrë kësaj rruge me misione
të qarta, ku në fokus do të ketë zërin e qytetarit.
”Në Kosovë ka shumë gjëra që duhet ndryshuar, jemi dëshmitarë që deri më
tani shteti nuk ka funksionuar në asnjë hallkë të tij, kemi pasur dështime të
mëdha në të gjitha sferat duke filluar nga arsimi, shëndetësia, mirëqenia
sociale, drejtësia, po ashtu në aspektin
urbanistik e mjedisor ka pasur shumë fusha ku shteti i Kosovës ka dështuar në
një formë që ta luaj rolin e vet me çka që ne do të angazhohemi edhe si deputetë që këto kauza të marrin drejtim dhe t’i hapim
rrugë zhvillimit të vendit. Unë po
mendoj që do të jem zëri i tyre dhe të gjitha ato padrejtësi ose projekte që
kanë çaluar edhe për Ferizajn e gjithë Kosovën besoj që do të jemi zëri i tyre
dhe do t’i shtyejmë këto agjenda”, tha Haliti.
Përveç Halitit, për herë të parë
deputet u zgjodh edhe një pjesëtar tjetër i UÇK-së nga ky qytet. Është ky
Gazmend Bytyçi nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili ishte pjesë e Asamblesë
komunale në legjislaturën e kaluar, ndërsa aktualisht është udhëheqës i
ndërmarrjes publike ”Stacioni i Autobusëve” në këtë qytet. Edhe Bytyçi thotë
se do të jap kontributin e tij në fusha ku ka përvojë.
“Kauza më e madhe e këtij vendi është që të punohet mbarë dhe mirë,
Kuvendi i Kosovës ka nevojë që të ndryshoj, të jetë një Kuvend më punëtor më i
përgjegjshëm, nuk mendoj që legjislaturat e kaluara kanë qenë në nivelin që ka
kërkuar qytetari ynë, por në nivelin që janë zhvillimet e përgjithshme të
shoqërisë sonë. Çdo deputet duhet të dijë cili është misioni, kauza dhe për çfarë
e kanë deleguar qytetarët. Besimi është
elementi më i rëndësishëm dhe kjo është ajo çka duhet të bëj ky Kuvend që ta
kthej besimin tek qytetari, sepse besimi ka humbur që një kohë të gjatë,
prandaj duhet të kemi një legjislaturë të
përgjegjshme dhe punëtore. Ka shumë fusha që unë do të jap kontributin
tim si në fushën e sigurisë, një kontribut që dëshiroj ta jap është edhe në
fushën e kulturës dhe vlerave të luftës“, tha Bytyçi.
Halitit do t’i mungoj Asambleja
komunale, ndërsa Bytyçit udhëheqja. Që të dy urojnë që pasardhësit e tyre të
ndjekin rrugën që këta po e lënë në gjysmë në këtë qytet.
“Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme për mua si individ në Asamblenë
komunale, po ashtu edhe në ekzekutivin e Ferizajt, mendoj që kam përfituar
jashtëzakonisht shumë dhe sot e njoh Ferizajn shumë më mirë, kjo përvojë do të
më shërbej edhe në të ardhmen sepse e di se çka ka nevojë Ferizaj dhe ku ka
nevojë. Do të më mungoj Asambleja komunale dhe angazhimi im aty, por po besoj
që edhe nga niveli qëndror mundësitë do të jenë më të mëdha të kontribuoj për
Ferizajn. Parimet nuk do t’i ndërroj, do të vazhdoj t’i mbaj ato parime“, tha Haliti.
“Në momentin e dorëheqjes së drejtorit duhet të fillojnë procedurat
për rekrutimin e një drejtori të ri dhe kushdo që vie unë i uroj suksese.
Mision i saj apo i tij do të jetë zhvendosja e stacionit të autobusëve nga ai vend, sepse ëhstë
pengesë për qytetin, edhe kjo është pjesë e asaj që unë do të angazhohem si
deputet që ta fus në kode buxhetore, në kuadër të kësaj pavarësisht se kush jemi
duhet të punojmë dhe të angazhohemi për Ferizajn e të përkrahim projektet për Ferizajn“, tha Bytyçi.
Në listën përfundimtare të publikuar
nga KQZ-ja janë 8 kandidatë nga Ferizaj
që kanë arritur të marrin vota të mjaftueshme për të marrë postin e deputetit.
Nga Lëvizja Vetëvendosje është Hekuran
Murati, Haki Abazi, Valon Ramadani, Dimal Basha dhe Enver Haliti, kurse nga
PDK-ja, Elmi Reçica, Bajrush Xhemaili dhe Gazmend Bytyçi. E, në këtë listë nuk figuron asnjë emër i
kandidatëve nga LDK-ja e Ferizajt përkundër që ky subjekt në nivel vendi në
këto zgjedhje doli i dyti.