Komuna e Ferizajt ende nuk ka kryer
pagesat e biletave mujore të udhëtimit për nxënësit me gjendje të rëndë sociale
edhe pse një gjë e tillë është dashur të bëhet qysh në shtator. Lidhur me këtë,
shqetësim shpreh asamblisti i Kuvendit Komunal, Xhevat Sallahu.
“Ky problem është këtë vit ngase
edhe për instuticionet komunale nuk është diçka e re ngase si çdo vit ndihmon
këto familje, këta nxënës që të vijojnë shkollimin në shkollat e mesme të Ferizajt
dhe mua më çudit fakti pse kemi hyrë në muajin e tretë dhe nuk është marrë
asnjë masë për këtë kategori të qytetarëve, nxënësve të këtyre familjeve me
gjendje të rëndë ekonomike sociale. Ka njerëz bamirës që i ndihmojnë ndokujt,
por nuk munden të vazhdojnë tërë vitin të ndihmojnë në këtë mënyrë. Ka nxënës
që ka mundësi ta ndërprejnë vitin shkollor ngase nga fshatrat e largët kushton
deri 20 euro për një fëmijë që të shkollohet në qytet, në shkollat e mesme të
Ferizajt”, theksoi
Xhevat Sallahu.
Ndërsa, drejtori iArsimit në Ferizaj,
Afrim Llabjani, tregon arsyet e vonesës së pagesës.
“Këtë vit është vonuar pak procesi për shkak të moszhvillimit të
procedurave, sepse në një kohë e kemi pasur një procedurë e cila ka funksionuar
deri në muajin tetor, ndërsa nga muaji tetor jemi në përgatitje të një projekti
tjetër, një kërkese tjetër përmes Zyrës së Prokurimit ku është dashur t’i
ndajmë në shumë lloto nxënësit se nga udhëtojnë, sepse ne kemi shumë fshatra
dhe të gjitha këto fshatra gravitojnë me mësim në shkollat e mesme të komunës
së Ferizajt dhe po besojmë që shumë shpejt ne do ta kryejmë këtë procedurë dhe
së shpejti ta kryejmë si proces këtë në mënyrë që nxënësit të mos kenë pengesa,
sepse kanë filluar edhe të shtohen kërkesat edhe nga vet nxënësit, prindërit,
por edhe nga kompanitë të cilat në fakt janë duke e kryer këtë punë”, u shpreh Afrim Llabjani.
Shuma e këtij projekti dallon nga
viti në vit për shkak të numrit jo të njëjtë të nxënësve që aplikojnë vit pas
viti për këtë lloj pagese.