Niveli i lartë i ndotjes së ujit të
pijshëm mund të vërehet lirshëm me sy, pa pasur nevojë për ndonjë analizë të
veçantë. Ky ujë rrjedh nga çezmat e
banorëve të fshatit Bablak të Ferizajt.
Banorët thonë se ka më shumë se një viti që nga çezmat e tyre rrjedh ujë i
ndotur dhe i përzier me fekale. Ata thonë se për këtë gjendje i kanë njoftuar institucionet komunale,
por nuk u është bërë ndonjë zgjidhje.
“Në këtë fshat nuk është punuar asgjë, vetëm kur janë kthy serbët
për hatër tyre kishe kanë investu. Ky ujësjellës është ndërtu, por është
gjysmak, edhe kompania është e njoftuar, por nuk ka bërë asgjë. Uji është i
papërdorshëm, shihet, çdo ndërprerje e ujit apo e rrymës vjen uji si lëng
plehu. Për shëndet më nuk diskutohet, por edhe pajisjet ku depërton ky ujë
dihet që prishen, uji është shumë i
ndotur, ndërsa kjo gjendje është thuajse nga fillimi. Ne vazhdimisht
jemi ankuar, por siç duket nuk po merret askush me ne“, tha Daut Nuha, banor i
fshatit Bablak.
“Uji vjen i ndotur, nuk ka filtrues, unë e përdori se s’kam ku me
shku me marrë, kur nuk ke kah me marrë s’ki çka bën, në këtë gjendje jemi“, tha Hajrush Zeqiri, banor.
“Uji është shumë i ndotur, thuajse rregullisht vjen kështu. Një nga
shkaqet është tek puset ku ka pëlcitur gypi i ujësjellësit dhe është përzier
kanalizimi me ujësjellës. Ne e përdorim këtë ujë, ka pas banorë që janë ankuar
nëpër mjekë shkaku i këtij uji. Unë kam bërë ankesa edhe në komunë edhe në
“Bifurkacion”, janë kanë me këqyr kanë thënë paska shumë punë po u dashka
me ardhë me bager dhe kurrë më s’kanë qenë, që një vit kështu jemi“, tha Driton Nuha.
Drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj Arbër
Bytyqi, thotë se kanë nisur një projekt i cili do të zgjidhë përfundimisht
problemet e përgjithshme në këtë fshat.
“Zgjidhja
e problemeve duhet shikuar në aspektin afatgjatë dhe në këtë drejtim ne jemi
duke punuar me projekte që zgjidhin
problemin një herë e përgjithmonë. Ne vetëm kemi nisur procedurat për ndërtimin
e kolektorit verior, jemi në fazën e zgjedhjes së kompanisë dhe deri në vitin
2021 do të jetë i përfunduar si projekt për atë zonë dhe pas përfundimit të këtij kolektori do të jetë ndarja
përfundimtare e ujit të pijshëm nga kanalizimet dhe po besoj që edhe për pjesën
e ujit të pijshëm. Edhe unë kam informata nga qytetarë për këtë problematikë që
është e theksuar dhe besoj që kompania që është përgjegjëse do të marrë masa për këtë, pasi deri në përfundimin e
këtyre projekteve janë edhe 2 vite dhe nuk mund të presim deri në atë kohë. Ne
jemi në kontaktet e para me kompaninë dhe po besoj që ata do të marrin masa për
zgjidhjen e këtij problemi”, tha Bytyqi.
Për të marrë një përgjigje, Televizioni Tema kontaktoi
me kompaninë e ujësjellësit dhe kanalizimit “Bifurkacioni”, mirëpo
zyrtarë të saj thanë se nuk janë në dijeni për këtë problem pasi tek ta nuk
është ankuar askush zyrtarisht