Në viset rurale të komunës së
Ferizajt, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emërgjencave, ka filluar hapjen e
kanaleve që mbrojnë nga vërshimet e shiut e dëborës gjatë sezonës së vjeshtës
dhe dimrit. Për shkak të nivelit të ulët të tokës, zyrtarë nga kjo drejtori,
thonë se kanë filluar së pari nga fshati Koshare për të shkuar drejt Tërrnit.
“Kemi marrë një masë më të gjerë të veprimit, kemi hapur kanalet nga
Sitnica atje që është në fund të Tërrnit dhe këndej kemi hapur të gjitha
kanalet që kanë qenë ekzistuese më herët dhe kanë qenë të mbyllura, tash ne
kemi intervenuar në ato, i kemi hapur të gjitha ato kanale që i kemi mundësuar
kalimin e ujit nga Kosharja nëpër Tërrn dhe del në Sitnicë atje, zbrazet dhe
shkarkohet kjo pjesë nga uji i rrëmbyeshëm që është gjatë shiut ose edhe
sezonës së dimrit kur bëhet shkrirja e borës në pranverë, kështu që i kemi
mundësuar këtij uji të kaloj, të ecë, të rrjedh nëpër këto kanale që janë të parapara edhe për këtë punë”, tha Skënder Kurti.
Ndërsa, njëri nga banorët e fshatit
Koshare, bie në kundërshtim me Kurtin duke kërkuar më shumë punë për këtë
projekt.
“Ejani në anën tjetër të fshatit, e kanë lënë dheun, nuk e kanë hequr,
kjo është dashur të heqet, tash kundërmon lumi. Në qoftë se është e arsyeshme
kështu ta lëmë mund të bëjnë çka të duan, por vetëm ka bërë metra ai zotëria,
ka marrë të holla bollshë, por me thënë që ka bërë diçka nuk ka bërë asgjë”, u shpreh Skënder Qerimi.
Ndërkaq, kryetari i fshatit Koshare
Sadik Qerimi, kërkoi nga banorët të mos hedhin mbeturina në mënyrë që të mos
mbyllen kanalet.
“Për momentin më mirë nuk ka, me
siguri se komuna ndoshta në vitin e ardhshëm e bën një projekt pak më të gjerë
dhe në kohë më herët, dikur pas muajit qershor kur ka thatësira pak më shumë
atëherë dhe me siguri ta bëj pastrimin më të mirë dhe t’i largojmë këto
mbeturina edhe ne vet si banorë, sepse në mënyrë të fshehtë dikush hedh lloj-lloj
shishe të plastikës dhe gjithçka siç po e shihni edhe vet, por ato për momentin
nuk kanë dënime, kështu që ndoshta vetëdijësohen më vonë, sepse ajo është si
prioritet numër një faktikisht edhe unë u lutem të gjithëve të mos gjuajnë
mbeturina, sepse ne jetojmë këtu, ne këtë ambient për vetën duhet ta kemi sa më
të pastër”, theksoi
Sadik Qerimi.
Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emërgjencave
paralajmëron hapjen e kanaleve të tilla edhe nëpër fshatra tjerë të komunës së
Ferizajt.