Të hysh në faqen zyrtare të klubit të
futbollit “Ferizaj”, nuk sheh ndonjë lajm të mirë, përveç rezultateve
negative, bojkotim të stërvitjeve, madje edhe
publikime të atilla se sot u dhanë rrogat e po fillojmë stërvitjet.
E gjithë kjo situatë që është krijuar në
klubin e futbollit të Ferizajt, po shqetëson trajnerët e këtushëm të cilët
thonë se krejt kjo gjendje ka ardhë si
pasojë e keqmenaxhimit.
“Kriza veç është thelluar,
anija është kah fundoset, çështja është krejt tek menaxhimi benda klubit duke
filluar nga kryetari, drejtori, bordi, kjo është arsyeja e vetme, por me ardh ”Ferizaj” në këtë
gjendje nuk është në rregull, është shumë e dhimbshme. Ne, gjeneratat që kemi
dhënë kontribut është e dhimbshme për ne. Brenda klubit duhet të japin përgjigje
dikush pse është bërë privatizimi i klubit, merre shembull Gjilanin çfarë
ekonomie ka, çfarë rezultate janë duke pas, po ashtu “Feronikeli” i
Drenasit që nuk është as sa gjysma e ”Ferizajt”, çfarë rezultate ka po ashtu
Podujeva, është tmerr i tmerrit se çfarë po ndodh me ”Ferizajn”, por këta e
dinë më mirë, kurse për neve si kontribues është shumë e dhimbshme“, tha Qerim Shaqiri, trajner.
“Po flitet nëpër qytet se dikush
i ka futur nja 2 hektarë tokë në këto muhabete kështu që ai që vjen prej
Anglisë e shikon profitin, këtu është mjerim për ata që udhëheqin sportin, Drejtoria e Sportit është mjerim, është alarm i kuq në
krejt degët e sportit. Unë si qytetar e aktivist i futbollit më brenë kjo punë dhe
kjo nuk duhet të mbetet kështu, kjo hallkë e këputur duhet të ngjitet, për
momentin nuk e kemi as ligjin e sportit, kemi kuadro, por edhe në vendin e vet
nuk janë dhe kjo është mjerim, këtë e ka për obligim Drejtoria në krye me
kryetarin e komunës ta zgjidhë”, u shpreh Ahmet Sylejmani.
“E gjithë energjia në futbollin e Ferizajt ështe e fokusuar në
klubin futbollistik “Ferizaj”, sidomos në kategorinë e seniorëve, unë
mendoj se janë lënë anash kategoria e juniorëve dhe lojtarë të klubeve të cilët
po janë të interesuar nga klubet e Tetovës, Gjilanit, e të tjera. Derisa ka
shumë lojtarë që ne i kemi vlerësuar të
dobët ata në klube të tjera janë titullar, që fatkeqësisht ne i kemi vlerësuar
jo drejt dhe këtu është gabim i madh, njerëzit që kanë bagazh profesional nuk është
marrë mendimi i tyre dhe këtu peshën e fajit e ka Drejtoria për Sport”, tha Agron Selmani, trajner.
Ata shprehen të zhgënjyer me mënyrën
e privatizimit të këtij klubi.
“Me privatizimin e klubit
është bërë një gabim, sepse u është dhënë njerëzve që i kemi parë veç kur është
bërë nënshkrimi dhe asnjëherë tjetër, t’u jepen aksione 51% të huajve është e
tepërt sepse ky është klub qyteti”, tha Shaqiri.
“Akterë të cilët e kanë marrë nën menaxhim klubin që thonë 51%
anglez është një çështje që mbetet për t’u dëshiruar, ai person që ka ardhë
prej Anglisë ai e ka një interes dhe interesi i tij është material dhe i bie që
është një punë jo e mirë“, tha Sylejmani.
Për gjendjen e klubit të futbollit
“Ferizaj”, u kërkua të diskutohet edhe në seancën e fundit të Kuvendit
Komunal nga grupi i kuvendarëve të LDK-së, por ky propozim nuk u përkrah
nga shumica.