Debati në Kuvendin Komunal të
Ferizajt nisi qysh pas prezantimit të rendit të ditës nga kryesuesja e Kuvendit, kur
Burim Karameta nga LDK-ja, përsëriti propozimin që në këtë seancë të
flitet për gjendjen e sportit ferizajas.
“Është gjendje alarmante, kah erdha e pash në një portal se futbollistët
kanë kërkuar falje që nuk munden me lu, prandaj ne duhet të merremi me ta dhe
të diskutojmë, t’i motivojmë që mos ta lënë lojën, prandaj nuk ka të keqe nëse
hynë si temë e ditës që të diskutohet kush është ai djali që ia keni falë
klubin ose me diskutu kush është kryetari i komunës me iu premtu tokë anglezëve
ose që kena me iu falw tokë”, tha Burim Karameta.
“Qasja jote Burim është e pavërtet, sjellja jote është e pavërtet,
po ashtu edhe aktrimi yt, ke qenë pjesë e organizimit të hendbollit e të gjitha
këtyre seneve dhe e dimë. Ne mbajmë qëndrimin që kjo është një organizatë
biznesore e regjistruar si organizatë ose si biznes aksionar dhe në kuadër të
kësaj fushe ne nuk kemi përgjegjësi ligjore
dhe institucionale përkundër që interesi i të gjithë neve është që të
ketë sa më shumë suksese“, tha nenkryetari i komunës Naim Ferati.
“Ne nuk jemi kompetent me diskutu rreth gjendjes së tyre, kompanive
private ose OJQ-ve kur nuk kemi asnjë përgjegjësi. U përmend toka, secili
kryetar kur të takohet me investitorë të huaj, në momentin që ata parqesin një
plan për investim unë nuk di se çka ka diçka tjetër me u ofru kryetari
përveç me iu thanë që do të iu ofroj hapësirë
ose tokë për me realizu atë investim, por çka dush që ofron kryetari prapë ka
me ardh në Kuvend me u diskutu dhe jemi ne si anëtarë të Kuvendit me vlerësu,
prandaj nuk ka nevojë me u shqetësu“, tha Arian Imeri,PDK.
“Nuk mundet kaq lehtë me u thanë që komuna nuk ka kompetenca në
klube sportive, ka, sepse krejt kryetarët kanë pasur progam sporti, bile edhe
ne që jemi këtu kemi kontaktu dhe kemi marrë obligime ndaj tyre, prandaj nuk është
mirë me u tentu me u tërheq prej një teme që ka filluar me u bë temë në
Ferizaj”, tha
Nehat Mustafa.
Pas këmbënguljes së opozitës, ky propozim i
Karametës u hodh në votim, por nuk mori votat e mjaftueshme për t’u futur në
rend dite.
Një tjetër temë e cila ngjalli debat
ishte propozim vendimi për aprovimin e statutit të Muzeut të Kujtesës, i cili edhe u miratua me 21 vota. Opozita tha
se ky muze është themeluar për të punësuar militantë partiak.
“Kjo është vetëm për të punësuar
militantë partiak, nuk është se po i ruajnë faktet e luftës, ne muzeun e kemi, atë muze mundemi me bë gjithë
bashkë ose mundemi me nda një pjesë për Muzeun e Kujtesës”, tha Shqipe
Jashari nga LVV.
“Më shumë i ngjan një ndërmarrje publike sepse nuk di që ka dikun
muze që ka një bord menaxhues që pastaj emëron një drejtor mandej ai merret me stafin. Në këtë statut
thuhet se këshillin drejtues të Muzeut të Kujtesës e emëron dhe shkarkon
kryetari i komunës, unë mendoj se ligji i ri për vetëqeverisje lokale i ka
dhënë mjaftë kompetenca kryetarit të komunës, prandaj konsideroj se është e
tepërt, mund të propozoj kryetari i komunës, por Kuvendi duhet të votoj për një
bord të tillë“,
tha Balton Dërguti nga LDK.
“Nuk është ndërmarrje publike, këshilli drejtues është caktuar të
jetë për shkak që ky muze të jetë sa më profesional, kryetari duhet të emëroj
këshillin drejtues pasi ashtu është e përcaktuar në bazë të ligjit. Nuk do të
jetë staf i madh, por do të jetë veç i nevojshëm për implementimin e punëve që
do të jenë. Nuk do të ketë militantë politik, por do të jenë ata që janë
profesional, patjetër që dikush është
militantë partiak, por njerëzit profesional do të emërohen aty“, tha Luan Jahiri nga PDK.
Edhe në këtë seancë përsëri u kthye
draft rregullorja për taksa, tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale.
“Lokalet që kanë të vendosura reklamë në lokal të vetin me pagu 50
euro në muaj, cila është arsyeja e kësaj
me u vendos taksa, e bëjmë një rregullore për vendosjen e reklamave ama
jo me u vendos taksë, unë propozoj që me u heq kjo”, tha Shkelzen Selmani, LDK.
“Në shtetet e jashtme çmimi për vendosjen e fëmijëve në kopsht
përcaktohet nga lartësia e pagës që e
ka, konsideroj se shuma nuk duhet të jetë e njëjtë me një të punësuar që ka 200
euro pagë me atë që ka 800. Ky sistem është në Gjermani e Zvicër pse mos të
jetë edhe në komunën tonë nëse është paga 200 euro pse mos të jetë 20 euro dhe
nëse ai që e ka 1 mijë euro le të paguaj 100 për çerdhe”, tha Balton Dërguti nga LDK-ja.
“Unë kisha një propozim tek
Drejtoria e Shëndetësisë tek pjesa e bashkëpagesave, është një analizë
laboratorike që quhet homoglobina e glukogjenizuar, tarifa e saj është 9.5 euro
dhe është një tarifë e lartë, unë propozoj që të jetë maksimumi 5 euro”, tha
Xhevdet Haxhidema, PDK.
Kuvendi miratoi edhe një varg
vendimesh të tjera të cilat kishin të bëjnë kryesisht me këmbim të ngastrave
kadastrale, si dhe shpallje të pronave në interes të përgjithshëm. Po ashtu, në
këtë mbledhje u votua që të transferohen disa mjete financiare për vitin fiskal
2019, si dhe u paraqit raporti financiar janar-shtator.
Ndryshe nga seancat e kaluara, të
pranishëm në sallë ishin edhe disa banorë të fshatit Prelez të Jerlive, të
cilët kishin ardhë për t’u interesuar se çka do të bëhet me parcelën e shkollës
së këtij fshati, për të cilën u propozua që të diskutohet në seancën e ardhshme
.