Jakup Sabedini, anëtar i Partisë
Demokratike të Kosovës në Ferizaj, ka akuzuar aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje
në këtë qytet, për sulmin fizik të ndodhur më 27 tetor. I kontaktuar nga TV
TEMA, Sabedini nuk ka pranuar të prononcohet para kamerës, mirëpo përmes
telefonit, thotë se sulmi ka ndodhur për arsye politike, duke mos dashur të përmend
emra të sulmuesve.
”Sulmi ka qenë i organizuar, i planifikuar, edhe kam pas kërcënime të mëhershme,
ka qenë një interval shumë i shkurtër nga 6 tetori deri në ditën që e kanë
ekzekutu sulmin kundër meje. Përpos sulmit fizik kam pas fatkeqësisht edhe një
sulm moral nga Lëvizja Vetëvendosje dega në Ferizaj e cila në vend që të
distancohet nga veprimet e aktivistëve, edhe mos qofshin aktivistë siç
pretendojnë ata, ata janë përpjek me kundërshtu. Ne askush nuk e kemi
kundërshtu Vetëvendosjen, as Partia Demokratike e Kosovës dega në Ferizaj, as
unë si individ, në këtë rast si viktimë e rastit, edhe vërtet familjarisht kemi
qenë të tronditur pak. Lajmin e kemi
publiku pas dy dite për arsye të familjes mos me qenë një tronditje ad hock për
familjen time. Ka qenë motiv politik, edhe siç po shihet këtu në rrjete
sociale, ata janë, aty shihet që janë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe
aty shihen, pa dashur me etiketu asnjë deputet të Lëvizjes Vetëvendosje, por
aty ishin edhe Hekuran Murati dhe Dimal Basha, tash nuk mundem me thënë që ata
kanë qenë protagonistë të nxitjes, por ata janë
aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje”, u shpreh ai.
TV TEMA: A kanë qenë ata prezentë kur
ka ndodhë rasti?
“Jo, jo, rasti kur ka ndodhë jo, në fotografitë që shihen në
aktivitete të fushatës, të fitores, të gëzimit të tyre, shihet që ata janë nën
shoqërinë e këtyre grupeve të këtij grupi që më kanë sulmu”, tha Sabedini .
E, në Policinë e Kosovës në Ferizaj,
thonë se ky rast është paraqitur nga vet viktima dhe se hetimet po vazhdojnë.
“Po rasti është raportuar me 27 të këtij muaji, nga ana e viktimës
jemi njoftuar se me këtë datë rreth orës
1 e 15 minuta në një objekt hotelier në Ferizaj viktima është sulmuar nga disa
persona, policia ka dalë në vendin e ngjarjes, viktimës iu ka ofruar ndihma
mjekësore, ndërsa të dyshuarit nuk janë has në vendin e ngjarjes, pas
intervistimit të viktimës policia ka sjellë një person në Stacionin Policor ne
Ferizaj për ta intervistuar lidhur me këtë rast, gjithashtu është njoftuar edhe
prokurori, lidhur me këtë rast pas përfundimit të intervistës nga ana e
prokurorit personi është urdhëruar që të lirohet dhe rasti të shkojë në procedurë
të rregullt, policia është ende duke i zgjeruar hetimet lidhur edhe me persona të
tjerë të mundshëm të cilët kanë qenë të kyqur në këtë rast“, tha Agim Gashi, zëdhënës i Policisë së Kosovës
në Ferizaj.
Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj,
përmes një komunikate për media, i ka cilësuar të rreme akuzat e Sabedinit. ”Fakti
se thuhet që ngjarja ka ndodhur para tre ditësh tregon se dikush po interesohet
të nxisë opinionin publik përmes shpifjeve e lajmeve të pavërteta. Aktivistët e
Lëvizjes nuk janë të përfshirë, prandaj kryesit e vërtetë duhet të kërkohen
diku tjetër. Dhuna është e dënueshme, por dhe shfrytëzimi i emrit të Lëvizjes
për shpifje e akuza të rrejshme si kjo është i padrejtë, ndonëse e kuptojmë që
PDK-ja në këtë kohë nuk ka temë tjetër, e vetëm lajmet e pavërteta i shohin si
mundësi për të kthyer vëmendjen”, thuhet në reagimin e qendrës së LVV në Ferizaj.