Connect with us

Ferizaj

Paralajmërohen aktakuza për rrëzimin e shtyllës elektrike ”N’dritare”

Published

on

Mbrëmjen e së dielës një pjesë e kafeterisë “N’dritare” në Ferizaj, mori flakë pas rrëzimit të shtyllës elektrike nga punimet që janë duke e zhvilluar në projektin ”Bashkimi i Qytetit”, ku edhe u lënduan disa persona. Pas kësaj ngjarje, pronarët e këtij lokali janë duke i vlerësuar dëmet, të cilat sipas tyre, po dalin të jenë shumë të mëdha. Ata thonë se rreziqe nga ky projekt kanë parë që nga nisja e punimeve, madje për këtë i kanë lajmëruar edhe kompetentët, mirëpo nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.

 “Prej që ia kanë nis punimet në ”Bashkimin e Qytetit” kemi pasur probleme, trotuari është shembur dy herë ku janë rrezikuar disa persona, hera e fundit shtylla ku ka pasur flakë të madhe, klientët janë tmerruar, unë kam qenë këtu, është bërë panikë e madhe, neve na kanë interesu vetëm klientët me qenë mirë, i kemi larguar shpejtë dhe më pas edhe kanë ardhë zjarrfikësat ku kanë intervenuar. Me rrymë çka ka pasur janë djegur të gjitha, vetëm një miksetë e thjeshtë që e kemi është në vlerë prej 1 mijë euro e pajisjet e tjera, ne e kemi paralajmëruar komunën e punëkryesit, por nuk kanë marrë masa për me parandalu këtë përveç vendosjes së disa mbrojtëseve të lehta që s’kanë kry punë asgjë”, tha Hamdi Salihu.

Për humbjet financiare që po u shkaktohen nga punimet në projektin ”Bashkimi i Qytetit”, udhëheqës të këtij lokali kanë angazhuar një avokat, i cili ka dorëzur një padi për këtë.

“Ne kemi parashtruar një padi më herët, para se me ndodhë kjo, padinë e kemi bërë vetëm  për kompensim të dëmit në emër të fitimit të humbur brenda kësaj kohe, sepse këtij lokali afarist i është bllokur komplet rruga me rrënimin e trotuarit dhe ka mundur të sanohet ajo, sepse ka qenë rrënimi vetëm para lokalit dhe po të bëhej sanimi nuk do të vinte deri tek kjo, tash meqë çështja e kompensimit është rritë ne do ta bëjmë edhe zgjerimin e saj në aspektin e dëmeve materiale. Rrënimi i parë kur është bërë ka qenë rrezik një grua me fëmijë, plus asaj në kërkesën që ia kemi dorëzuar komunës për sanim të gjendjes dhe kompensim e kemi paralajmëruar së dëmi mund të jetë më i madh, poashtu edhe kompaninë punëkryese. Vetë punëtorët e ndërmarrjes që është duke i kryer punimet, kur e kemi dorëzuar kërkesën më 8 gusht, e kanë paralajmëruar pronarin  që rreziku mund të jetë më i  madh, por pavarësisht këtyre as komuna nuk është përgjigjur, as punëkryesi dhe t’i kishin marrë parasysh këto paralajmërime tona dhe kërkesën tonë kjo nuk kishte me ndodhë“, tha Rexhepi.

E, drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj Arbër Bytyqi, jep versionin e vet.

“Shembjet kanë ndodhur në pjesën më të largët jo në pjesën që rrezikon hyrjen e lokalit dhe nuk ka pasur shembje të natyrës që mund të rrezikohet lokali, kurse për pjesën e shtyllës ne kemi kërkuar menjëherë përgjegjësi nga operatori ekonomik dhe operatori ekonomik e ka dhënë arsyetimin e tillë që ne kemi kërkuar nga KEDS-i të dislokoj shtyllën, por ka hasur në vesh të shurdhër dhe pas kësaj ka ndodhur edhe rrëzimi i kësaj shtylle, këto janë konkludime, por që u mbetet organeve kompetente, por është fat i madh që nuk ka ndodhur aksident me përmasa të mëdha,  por vetëm dëme materiale të vogla që mund të rregullohen pa telashe të mëdha“, tha Bytyqi.

Për të gjitha këto, Prokuroria e Ferizajt tashmë ka nisur hetimet. Përmes telefonit, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj Shukri Jashari, i tha Televizionit Tema se pas përfundimit të hetimeve do të ngritet aktakuzë për shkaktim të rrezikimit të përgjithshëm dhe dëmtim ose asgjësim të instalimeve publike.

“Punëkryesi i cili ka punuar te nënkalimi e ka heq dheun dhe e ka dobësu stabilimentin e shtyllës elektrike, edhe pse kanë qenë të informuar edhe KEDS-i, edhe Komuna nëse nuk gaboj ka qenë e informuar me shkrim, nuk ka ndërmarrë veprime, as Kuvendi Komunal me obligu punëkryesin dhe ta shohim edhe KEDS-i a ka pas obligim me ndërmarrë ndonjë veprim. Gjithsesi në bazë të provave që grumbullohen besoj se do të ngritet edhe aktakuzë për dy vepra penale, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe shkaktim ose asgjësim i instalimeve publike, e për momentin varet se kur kryhen veprimet hetimore, në momentin që kryhen hetimet lënda vjen në Prokurori dhe besoj se do të ngritet edhe aktakuzë, jo që besoj, por që jam i bindur qind për qind”, tha Jashari.

Projekti ”Bashkimi i Qytetit” po del të jetë problematik. Nga punimet që po zhvilloheshin për këtë projekt, në ditët më të ngrohta të verës pothuajse i gjithë qyteti  i Ferizajt kishte mbetur pa ujë, për shkak të prishjeve që ishin bërë në gypin kryesor të ujësjellësit.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Në Ferizaj raportohet për një grua të zhdukur

Published

on

Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se viktima, femër kosovare, ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj.

Rasti është në procedurë hetimore.

Continue Reading

Ferizaj

Arrestohet për vjedhje të rëndë ferizajasi 20 vjeç

Published

on

Policia në Ferizaj ka arrestuar një 20-vjeçar të dyshuar për veprën penale vjedhje e rëndë.

Ngjarja ka ndodhur më 24 dhjetor, rreth orës 01:45, në rrugën “Ilir Konushevci”, ku nga një veturë u vodh një pistoletë, 21 fishekë dhe disa gjësende tjera.

Pas hetimeve dhe analizimit të kamerave të sigurisë, mbrëmjen e 26 dhjetorit, rreth orës 19:00, policia arrestoi të dyshuarin me inicialet E.P. në banesën e tij.

Gjatë kontrollit u gjetën fishekët dhe disa sende që i përkisnin viktimës.

“I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të prokurorit ai është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore”, thuhet mes tjerash në raportin e policisë.

Continue Reading

Ferizaj

Është ndarë nga jeta mjeku ferizajas, Dr. Abaz Beqa

Published

on

Është ndarë nga jeta mjeku ferizajas Dr. Abaz Beqa.

Njoftimi u bë nga familjarët e të ndjerit.

Dr. Abaz Beqa përfundoi studimet për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe specializoi në gastroenterologji dhe hepatologji në Kroaci. Si njëri nga specialistët e plejadës së parë të mjekëve ferizajas , që nga viti 1978, ai shërbeu me përkushtim në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj.

Përveç angazhimit të tij profesional, Beqa ishte aktiv edhe në organizatën e mjekëve të pavarur dhe luajti një rol kyç në organizimin e spitalit për rastet emergjente. Ai gjithashtu dha një kontribut të rëndësishëm në arsim, duke qenë mësimdhënës i hematologjisë për gjeneratën e parë të Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj.

Mbledhja komemorative për të ndjerin Dr. Abaz Beqa, do të mbahet të premten, më 6 dhjetor me fillim nga ora 10:30, në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, kurse ceremonia e varrimit do të bëhet në ora 12:00, në varrezat e reja të qytetit.

Continue Reading

Trending