Ka afër një muaj që fshati Komogllavë
i Ferizajt është mbuluar nga pluhuri si
pasojë e rrugës kryesore të këtij fshati e cila ka mbetur vetëm në zhavor.
Banorët thonë se më 4 tetor, pak para
zgjedhjeve parlamentare, është larguar asfalti i vjetër për t’u shtruar asfalti
i ri, por që nga atëherë askush më nuk është marrë me këtë rrugë.
“Katastrofë jemi me këtë pluhur, jemi lajmëruar edhe në komunë,
dritaret nuk mundemi me i hap kurrë se le më me dalë në oborr, rrobat po i terim
brenda, kjo rrugë është shtru tri ditë para zgjedhje dhe më as që u interesu dikush,
nuk e dimë a është prej komunës apo kompanisë”, tha Lutfie Abdullahu nga Komogllava.
“Dy ditë para zgjedhjeve kanë ardhë e kanë heq asfaltin, po është
shumë problem, as në oborr nuk po mundemi me dalë, është katastrofë, nuk e di
se çka është duke ndodhë kryesorja ne nuk jemi duke mundur as me dalë në
oborrin tonë“,
tha Ismail Abdullahu nga Komogllava.
“Nga 5 tetori kompania që e ka fituar tenderin e ka heq asfaltin dhe
e ka lënë në këtë gjendje dhe nuk është punuar më në këtë aspekt, na është
premtuar se do të filloj në këtë javë, por kjo është gjendja, gjithçka është e
pluhrosur, çdo gjë është bërë bardh“, tha Vedat Ismaili.
“Është dhënë një garancion që të premtën me fillu punimet, nuk kanë
filluar, ne kemi paralajmëruar një protestë dhe unë e besoj se një kamion nuk e
ka qëllimin e mirë, por kanë ardhë vetëm sa me u vërejt në rrugë se përndryshe
rruga do të fillonte nga e mbara e jo siç e kanë nisur tani, prandaj nuk
besojmë, unë besoj se këtë e kanë bërë me marrë kohë dhe me bë një opinon se
jemi të interesuar përndryshe pas përfundimit të zgjedhjeve njeri i gjallë këtu
nuk ka ardhë”, tha
Vehbi Emini.
Në anën tjetër, përfaqësues të
ekzekutivit ferizajas, thanë se punimet për asfaltimin e kësaj rruge kanë
filluar dhe ato do të shkojnë sipas planifikimeve.
“Lajmi i mirë është që në
Komogllavë punëkryesi është në terren dhe po punohet për përfundimin e këtij
projekti, të gjitha projektet edhe ky në
Komogllavë ka një bazë ligjore dhe planifikim financiar, ka një kohë për
përfundimin e saj dhe qytetarët nuk kanë arsye të ndjehen të shqetësuar për
këtë projekt, pasi ai do të vijoj në ritmin e vet normal”, tha Albion
Sherifi, përfaqësues i komunës së Ferizajt.
Ndryshe nga banorët e Komogllavës të
cilët po kërkojnë asfaltim të rrugës, banorët
e Zllatarit po ankohen për asfaltim jocilësor. Asfaltimi i rrugës ”Shkolla” i
bërë javën e kaluar, po del të jetë jokualitativ. Ai madje po mund të hiqet
edhe me dorë.
“Kur ka ardhë asfalti kanë bërë ndasi, por më e keqja është cilësia,
kemi bërë një reagim, kam kontaktuar me drejtorin, ka ardhë drejtori dhe i tha
kompanisë që ta largoj këtë asfalt se është jocilësor, ne kemi prit që 20 vite
bile kur të shtrohet le të jetë cilësor se më nuk i vie radha kurrë“, tha Burim Kurti, banor i fshatit
Zllatar.
Albion Sherifi nga komuna e Ferizajt,
tha se ky asfalt do të zëvendësohet me asfalt të kualitetit të lartë.