Në muajin korrik të këtij viti, klubi
i futbollit “Ferizaj”, nga një menaxhim publik u shndërrua në shoqëri
aksionare, ku investitorë u bënë disa kompani vendore dhe një angleze, të cilës
i prinë futbollisti anglez, Brian Deane.
Privatizimi i klubit të futbollit gëzoi
anëtarët e tij, pasi u mendua se
problemet financiare te këtij klubi do
të marrin fund.
Por, në realitet një gjë e tillë nuk
ndodhi, pasi problemet me financa akoma po vazhdojnë aq sa lojtarët janë duke i
bojkotuar ndeshjet për shkak se nuk janë paguar
ende.
Pasi ky problem u shpërfaq në publik, reagoi
edhe investori anglez përmes një letre publike,
duke thënë se mospagesa e lojëtarëve
është qesharake.
Në këtë letër,
Deane tregon pjesë të marrëveshjes kur janë dakorduar për privatizim të
klubit.
”Me 7 korrik 2019 ne jemi pajtuar të marrim 51% të pronësisë së KF
Ferizaj, një klub futbolli i cili ishte në rrezik financiar për suportuesit dhe
lojtaret e të cilit ishin besnik. Ne kemi marrë garanci të ndryshme për klubin
dhe të ardhmen e tij të ndritur. Neve poashtu na është garantuar se do të jepet
tokë në të cilen ne do të mund të ndërtonim hapësirat e trajnimit, stadiumin e
ri nga i cili do të përfitonte klubi dhe komuna e Ferizajt. Ne mbesim me
shprese se këto premtime do të përmbushen”, thuhet ne letren e Dean.
Këta rreshta të investitorit anglez
iu duken të dyshimtë përfaqësueve të subjekteve politike në Ferizaj. Ata thonë
se për t’i garantuar tokë një investitori privat duhet të ndjeken procedura të
cilat në radhë të parë kanë të bëjnë me kalimin përmes Kuvendit Komunal.
“Në bazë të përgjigjeve që ka dhënë investitori të cilin nuk e
njohim ne, del se krejt kjo punë është bërë për pazare me dhënien e lejeve
ndërtimore dhe tokave pasi që saktësisht nga data kur kryetari Aliu i ka
pezulluar lejet ndërtimore ka filluar
një degradim dhe mosinvestim në klube, prandaj ndoshta kjo mund të jetë një
shantazh i njerëzve që menaxhojnë klubet
për t’i dhënë lejet e ndërtimit ndaj kryetarit Aliu që ne nuk dëshirojmë të
jetë kështu, por të gjitha analizat çojnë në këtë drejtim“, tha Gëzim Kokollari, LDK.
“Besoj që ka qenë e padrejtë
dhe e pasinqertë nga ana e ekzekutivit të Ferizajt që t’i ofrohet garanci një
investitori se do të jepet prona pa kalur procedura që kërkohen me ligj dhe pa
kaluar në Asamblenë komunale. Në njëfarë forme janë vet ata politikanë që e
kanë privatizuar klubin dhe në të njëjtën formë të njëjtit dëshirojnë edhe që
të japin prona po të njëjtit klub për ndërtime të objekteve që do të shërbenin
për atë klub. Ne kemi dhënë dyshimet tona se është kah fshehet diçka prapa
privatizimit të atij klubi, janë njerëz që merren me politikë nga PDK-ja që në
njëfarë forme janë privatizuesit e atij
klubi dhe janë fshehur pas disa emrave nga Britania e Madhe me çka po del se
ata nuk janë serioz dhe se nuk kemi parë asnjë hap të tyre deri në ditët e
sotme”, tha
Enver Haliti, LVV.
“Fillimisht klubi i Ferizajt është një klub privat dhe nuk mundet të
jetë brengë e komunës pasi për këtë është privatizu dhe është brengë e pronarëve
të klubit. Sa i përket marrëvshjes që
ndoshta mund të jetë edhe spekulim pasi nuk e kam parë, por nuk mund të jetë që
klubi edhe të shitet edhe t’i jepet tokë. Tokat fillimsht me prioritet mund të
jepen për ndërmarrje prodhuese e pastaj edhe biznesore që e kanë qëllim
punësimin e qytetarëve, duhet ta kenë një projekt, me çfarë kushte, sa
punësojnë e të tjera dhe rregullat janë që prona mund të jepet vetëm përmes Kuvendit
dhe jo ndryshe dhe nuk mund të bëj askush marrëveshje paraprake pasi për këtë
ka rregulla, edhe ai klub privat sikur të gjitha ndërmarrjet mund të konkurroj
në bazë të konkursit për ta marrë dhe nëse i plotëson kushtet mund të procedoj
tutje, por paraprakisht të bëhet, një marrëveshje e tillë është e jashtëligjshme
dhe nuk mund të funksionoj”, tha Xhavit Zariqi, AAK.
Ka disa ditë që Televizioni Tema ka tentuar të marrë një deklaratë nga Komuna e Ferizajt për këtë çështje,
po ashtu edhe nga investitorët vendor të klubit dhe drejtuesit e saj, por që të
gjithë kanë refuzuar të flasin për këtë deklaratë të investitorit anglez Brian
Dean.