Në Ferizaj nisi sot Java e Rinisë. Në
aktivitetet që janë organizuar për nder të kësaj jave, janë ftuar edhe fëmijë
me nevoja të veçanta dhe ata me sindromën doën.
Kryetarja e Kuvendit të të Rinjve,
Vanesa Sadriu, tregoi për aktivitetet që janë paraparë të mbahen gjatë kësaj jave.
“Aktivitetet janë ndarë për pesë ditë
radhazi, dita e sportit, dita e librit, dita e filmit dhe dita e
ambientit, pastaj një event përmbyllës.
Sot është dita e sportit, njëkohësisht edhe hapja e kësaj Jave të Rinisë që po
e hapim me një ndeshje miqësore futbolli, por shkaku i motit është dashur të
vijmë në sallën e “Bill Clinton” dhe me vazhdu menjëherë pas saj me aktivitetin
e dytë që i kemi disa lodra me fëmijë me nevoja të veçanta nga Qendra e
kujdesit ditor “Pema”. Duke e ditur që në Ferizaj janë Ditët e Kulturës, Ditët
e Diasporës, por nuk kemi fatkeqësisht Ditët e Rinisë, Javë të Rinisë, për t’i
kushtuar kohë më shumë pjesës më të mirë që e ka Ferizaj e kemi organizuar
Javën e Rinisë duke u munduar njëkohësisht edhe t’i promovojmë kulturat dhe të
mirat që i ka qyteti i Ferizajt, por edhe duke u munduar t’i përshtatemi edhe
gjërave që rinia ferizajase i kërkon. Si Kuvend i të Rinjve të Ferizajt jemi
munduar t’i promovojmë edhe fëmijët me sindromën Doën edhe fëmijët me nevoja të
veçanta dhe e kemi parë të arsyeshme pasi kemi tre deri katër ditë aktivitete
të lira t’i përfshijmë edhe fëmijët me nevoja të veçanta”, u shpreh Vanesa
Sadriu.
Ndërsa, Marigona Rexhepi nga Qendra e
kujdesit ditor “Pema”, u shpreh e kënaqur që fëmijët të cilët vijojnë në këtë
qendër, janë pjesë e këtyre aktiviteteve.
“Unë falënderoj shumë Vanesën për ftesën që vazhdimisht na e bën, nëpër
aktivitete që ajo i organizon i fton gjithëherë edhe fëmijët me nevoja të veçanta
dhe kjo është shumë e rëndësishme me një formë barazinë me fëmijët e tjerë dhe
mundësinë që ata të integrojnë në shoqëri”, tha Marigona Rexhepi.
Java e Rinisë do të zgjasë deri më 28 shtator.