Në kuader të ”Javës Evropiane të Sportit”
e cila ka nisur dje në Kosovë, sot janë zhvilluar disa aktivitete sportive.
Ishin mbi 60 dashamirë të Bowling-ut, kryesisht të rinj me nevoja të veçanta dhe
ata me sindromën Down, të cilët morën pjesë në garën e organizuar nga Federata
e Bowling-ut te Kosovës.
Sekretari i kësaj federate, Mirsad
Sejdiu, tha se motoja e këtij aktiviteti është “Boëling për të
gjithë”, prandaj dhe kanë bërë bashkë në këtë garë të gjitha kategoritë e
shoqërisë.
Osman Gashi nga Ministria e Kulturës,
e Rinisë dhe e Sportit, tha se përmes këtyre aktiviteve sportive synohet
ngritja e vetëdijes së shoqërisë që të merren me sport. Sipas tij, ky qëllim tashmë është arritur, meqë në aktivitetet e kësaj jave do
të angazhohen mbi 22 mijë qytetarë.
Pjesëmarrësit e garës dhe shoqëruesit
e tyre u shprehën se ky është aktiviteti më i mirë sportiv në të cilin ata
kishin marrë pjesë ndonjëherë.
Gjyqtari Armend Berisha, tha se është
hera e parë të ketë referuar ndonjë ndeshje të tillë dhe se ky ishte referimi
më emocionues për të deri tani.
”Java Evropiane e Sportit”, e cila
organizohet nën patronatin e ministrit Kujtim Gashi, do të mbahet në tërë
Kosovën për tetë ditë rresht dhe janë të parapara mbi 80 aktivitete sportive.
Aktivitetete të ngjashme në të njejtën kohë po mbahen edhe në të gjitha vendet e Bashkimit
Evropian.