Mbi 17 mijë euro më shumë i ka
kushtuar buxhetit të Komunës së Ferizajt, ndërtimi i sallës së edukatës fizike në fshatin Gaçkë të
Ferizajt.
Organizata Iniciativa për Progres së
bashku me organizata tjera joqeveritare të rajonit të Ferizajt, gjatë
monitorimit të aktivitetit të prokurimit për fazën e dytë të ndërtimit të kësaj
salle, ka gjetur se në njoftimin për kontratë vlera e parashikuar e kontratës ka
qenë 100 mijë euro, ndërkaq çmimi i ofertës fituese 117 mijë e 209.95 euro.
Arbenita Topalli, e cila ka qenë
pjesë e grupit monitorues të këtij aktiviteti, tha se përveç tejkalimit të
vlerës së kontratës, ky tender është përcjellur edhe me shumë shkelje të
tjera. Ajo tha se dy ditë para se të
publikohet oferta fituese, komuna këtë tender e kishte zgjatur edhe për 30 ditë
të tjera duke bërë kështu që ofertat më
të lirë të humbasin validitetin, për të lidhur më pas kontratë me ofertën mbi
32 mijë euro më të shtrenjtë.
“Në muajin gusht të vitit 2018, komuna e Ferizajt ka lidhur
kontratë për ndërtimin e sallës
së edukatës fizike në fshatin Gaçkë të Ferizajt me konsercium
“G&A Counsulting”, dhe “Pro&Co Group”, në vlerë
prej 117.209.95 euro përmes procedurës së hapur. Sipas planit përfundimtar të
prokurimit, vlera e parashikuar ka qenë 40 mijë e cila ishte në shpërputhje me
planifikimin e buxhetit ku për të njëjtin projekt janë aprovuar 90 mijë euro.
Tutje në njoftimin për kontratë vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 100
mijë euro, kurse çmimi i ofertës ka qenë
mbi 117 mijë euro dhe kemi diferencë prej 17 mijë euro duke e vlerësuar
kontratën më të shtrenjtë se planifikimi që është bërë“,tha Topalli.
Topalli, theksoi se për ndërtimin e
kësaj salle komuna nuk kishte specifikuar çmimin e armaturës, duke i’a lënë në duar firmës e
cila ka ofuar një çmim më të lartë se ai
i tregut.
“Komuna nuk e kishte saktësuar profilin e nevojshëm të armaturës,
ashtu siç kërkohej me rregullat e prokurimit dhe ndërtimit për këtë pozicion
dhe kështu operatori fitues ka ofruar çmimin
prej 0.69 euro, respektivisht për pozicionin total 10 mijë e 336.20 euro.
Mirëpo raporti tregon se në vitet e fundit çmimi i armaturës asnjëherë nuk ka
qenë 0.69 cent për kilogram, rrjedhimisht komuna ka kontraktuar punë që në
pozicione të caktuara çmimet janë më të larta se çmimet e tregut“, tha Topalli.
Për këtë aktivitet të prokurimit,
INPO ka dhënë edhe rekomandime.
“Rekomandojmë që kryetari i
komunës dhe udhëheqësi i prokurimit të
sigurohen që vlera e parashikuar e projekteve në buxhetin e komunës të jetë e
njëjtë edhe në planin e prokurimit. Po ashtu, meqë vonesat në vlerësim të
ofertave kanë rezultuar me tërheqje të kompanive më të lira, rrjedhimisht kryetari i komunës duhet të kërkoj llogari
nga anëtarët e komisionit për vonesat në vlerësim”, tha Qëndrim Hoxha,
monitorues në INPO.
Ndër të tjera, Grupi Monitorues tha
se për këtë kontratë kanë gjetur se komuna nuk ka plan menaxhues, gjë e cila
është obligative, po ashtu, sipas kontratës punimet do të duhej të ishin në
përfundim e sipër, por ata thonë se gjendja në terren tregon se projekti ende
është në fazë të hershme të realizimit.