Familja Haliti nga fshati Konjuh i Lipjanit dhe familja Hamdiu nga Ferizaj sot e patën një gëzim të madh. Shtëpitë e reja të ndërtuara nga marketi ”Eli-Ab” dhe shoqata humanitare ”Feniks”, i bënë të lumtura këto familje, të cilat deri sot jetonin në kushte jashtëzakonisht të vështira. Kryefamiljarët, duke i falenderuar nga zemra bëmirësit që i bënë me shtëpi të reja, tregojnë se në vatrat e vjetra e kanë pasur shumë të vështirë të bëjnë një jetë normale.
“Falenderoj Basrinë e Feniksin që kanë bërë një punë të madhe, falenderoj të gjithë që kanë kontribuar, në veçanti Basriun”, deklaroi Ismet Haliti
“Falenderoj të gjithë, uroj që të kenë të gjitha të mirat, kemi jetuar sic kemi mundur, por ja sot hymë në shtëpi”, tha Sabile Hamdiu.
Kryetari i shoqatës “Feniks”, Milaim Jashari, u shpreh se këtë gëzim, krahas dy familjeve përfituese, po e ndajnë së bashku edhe anëtarët e shoqatës “Feniks’ dhe vëllezërit Sopa.
“Sot i kemi dy gëzime, ku ka investu Basria me vëllezër me nga 12 mijë e 500 euro për cdo shtëpi, dhe me të vërtetë është bërë punë e madhe edhe është gëzim i dyfishtë edhe për ne edhe për Bastrinë. Do ti lëshojmë edhe dy shtëpi për Bajram ku do të investojë përsëri Basria me vëllezër, dhe me të vërtet është kënaqësi e madhe”, tha Jashari.
Deri sot, shoqata bemirëse “Feniks” e përkrahur nga donatorë të ndryshëm ka ndërtuar 246 shtëpi. Donatorë që duhet veçuar janë vëllezërit Sopa, të cilët për çdo vit ndajnë mjete për ndërtimin e 6 deri 7 shtëpive humanitare.