Drejtoresha e Administratës komunale në Ferizaj, Aurora Ramadani, në një konferencë me gazetarë ka njoftuar publikun se procesi i zgjedhjeve nëpër fshatra dhe zona urbane të këtij qyteti tashmë ka përfunduar. Sipas saj, ky proces zgjedhor i realizuar në bazë të rregullores për bashkëpunimin e komunes me fshatra, vendbanime dhe zona urbane, konisderohet si njëri nga sukseset më të mëdha të punës së kësaj drejtorie. Ramadani tha se me këto zgjedhje përfundimisht komuna e Ferizajt ka zgjidhur problemin e komunikimit mes pushtetit dhe qytetarit.
“Në bazë të rregullores pritet që këta kryetar të fshatrave fillimisht duhet ta zgjedhin këshillin e fshatit dhe në bazë të një udhëzimi administrativ i cili ka hyrë në fuqi me 28 qershor -parashihet që këta kryetar të mbajnë 6 mbledhje obligative gjatë tërë vitit me komunën, ku do të raportojnë si dhe për të gjitha kërkesat që kanë banorët e fshatrave apo lagjeve që i përfaqësojnë”, – tha Ramadani.
Në pyetjen se ka arritur numri i punëtorëve në këtë administratë të angazhuar me kontratë në vepër, Aurora Ramadani tha se kjo kategori punëtorësh nuk është nën ombrellën e kompetencave të kësaj drejtorie.
“Aty ku është paraparë që ka nevojë për kuadër besoj aty janë angazhuar edhe këta punëtorë. Megjithatë drejtoria e financave do të ishte ndoshta drejtoria me kompetente për të dhënë një përgjigje me të saktë, pasiqë në fund të fundit pritet që së shpejti të publikohet edhe raporti i auditorit të përgjithshëm. Në fakt edhe zyra e personelit praktikisht nuk bie me drejtorinë e administratës, fatkeqësisht, jo si është paraparë me organogram. Mund te theksoj këtu edhe sa i përket çështjes së organogramit, përderisa kemi arritë me finalizu një draft të organogramit , pritet edhe nje ndryshim i tij dhe besoj më pas do të jemi në gjendje t’i përgjigjemi pyetjeve në bazë të kompetencave që do të kanë drejtoritë veç e veç. Thjesht, unë nuk e di numrin e punëtorëve me kontrata në vepër”, tha Aurora Ramadani.
Ndryshe, sipas raportit te auditorit të publikuar sot, del se në vitin 2018 komuna e Ferizajt kishte angazhuar 246 punetorë me kontratë në vepër, për të cilët janë shpenzuar mbi 290 mijë euro.