Lidhja Demokratike e Kosovës në Ferizaj po akuzon qeverisjen lokale se po i privon maturantët e shkollave të mesme të Ferizajt nga e drejta për të shkuar në ekskursione.
Ramadan Baliu tha se komuna me këtë veprim po i shkel udhëzimet administrative të MASHT-it.
“Çështja e ekskursionit është e rregulluar me udhëzimin administrativ të MASHt-it me numër 35 ku parashifet qartë se në cilën formë duhet të organizohet ekskursion për nxënës, e që drejtoria komunale e arsimit në vitin ekaluar ka bërë shtyerjen e tij, megjithatë nxënësit edhe dy javë kanë mësim të rregullt dhe nuk ka asnjë lëvizje për ta bërë ekskursion. Ne konsiderojmë se janë bërë dy shkelje, e para është e drejtë elementare e nxënësve dhe shkelja e dytë është se po shkelet ligji që rregullon shumë mirë ekskursionet”, tha Baliu.
Në këto akuza të opozitës, drejtori i arsimit komunal, Afrim Llabjani, tha se ekskursionet në Shqipëri janë ndalur pasiqë po bëhen keqpërdorime të ndryshme, njëkohësisht është respektuar kërkesa e profesorëve dhe e këshillit të prindërve me të njejtin qëndrim.
“Kërkesa dhe vendimi ka ardhur nga Këshilli i Prindërve, dhe si rezultat i këtyre bisedimeve, ne kemi marrë një vendim duke u bazuar në vendimin e këshillit të prindërve që ekskursionet të ndërpriten, sepse nuk e kishin atë karakter për të cilin janë të thirrura, dhe ne kemi raste të shumëta që në këto ekskursione ka pasur keqpërdorime. Ne besojmë që edhe ministria do të nxjerrë udhëzime të reja për këtë çështje, ne e dimë që ju takon një e drejtë e tillë, por nga bashkëbisedimet që kemi pasur me maturantë e mësimdhënës, kemi parë që disponimi i tyre nuk është për të shkuar. Ne kemi pasur edhe nënshkrime nga kujdestarë të klasëve që kanë bërë kërkesë tek ne që mos të organizohen këto ekskursione. Mendoj se këto ekskursione do tu shkonin në lëvërdi disa drejtorëve të shkollave e mësidhënësve, dhe kompanive të ndryshme që e kanë për përfitime të veta”, tha Llabjani.
Në shtator të vitit të kaluar drejtoria e
arsimit e Ferizajt pat sjellur vendim për shtyerje të ekskursionit vjeshtor, ndërkaq
ky vendim pat zgjuar protesta dhe bojkot të mësimit nga ana e disa maturantëve
të shkollave të mesme të Ferizajt.