Hasan Elezi, pronar i parcelës që është pranë oborrit të shkollës në fshatin Prelez të Jerlive, për të cilën disa herë pat protesta nga një grup qytetarësh, po akuzon institucionet e rendit dhe të sigurisë, se nuk po i ndihmojnë atij që ta gëzojë pronën e tij, edhepse për këtë ka vendim nga gjykata. Elezi, thotë se ka një javë që ka filluar ta kufizojë parcelën e tij, mirëpo policët e Ferizajt në vend se ta mbrojnë atë, u kanë rekomanduar punëtorëve të tij që ti ndërpresin punimet “për t’i ikur belasë”.
“Gjykata na e ka leju, komuna na e ka leju, drejtoria e Urbanzimit na ka dhënë leje që mundemi me bë ndarjen e parcelës tonë, fshatarët thonë se nuk është e jotja. Shteti neve na detyron me dale aty duke na thënë “Dilni ju se ne vijmë, dhe vijnë pas 40 minutave dy policë, madje i kanë thënë punëtorit tonë “pse po del këtu me ba bela”, do të thotë ne nuk jemi të sigurtë në pronën tonë. Kërkoj me çdo kusht të lirohet prona ime, nëse nuk lirohet prona ime nga shteti, nuk di kah të kërkoj ndihmë tjetërkund. Unë do t’i drejtohem prokurorisë dhe kryetarit, pasi nuk shkon më kjo kështu, e pesta herë që policia neve nuk na ndihmon a në realitet na thotë dilni se ju ndihmojmë, do të thotë ne nuk jemi të sigurt nga policia” – tha Elezi.
Elezi thotë se ai i ka dokumente se Komuna nuk ka qenë e interesuar që të shpronësojë pronën e tij, dhe se për ndërtimin e rrethojës ai ka marrë pëlqim nga drejtoria e urbanizmit.
“Ofertat që mi kanë dhënë i kam të gjitha me shkrim se Komunës nuk i intereson me arsyetim se mjafton oborri që ka shkolla. Një fshat i tillë ka gabime të mëdha pasi me shpronësimin e tokave tona kanë mundur të kenë një shkollë të re me 1,5 milion siç e precizojnë disa banorë, ata kanë mundur të ndërtojnë një shkollë të re, por ata kanë vetëm interes të na pengojnë. Në bazë të intervistave që kanë dhënë fshatarët thojnë që kjo tokë ka vlerë 1.5 milion euro e gjysmë, dhe nëse ka këtë vlerë unë nuk e kam njet me fal se është e imja. Nëse dojnë ata me shpronësu, unë jam i gatshëm, nëse jo, le të ma lirojnë pronën time”- tha Elezi.
Pronari legjitim i tokës pranë oborrit të shkollës në fshatin Prelez i Jerlive, që e kishte blerë atë nga AKP-ja, thotë se ai do të ndërtojë një objekt aty porse nuk do të pengojë shkollën.
‘Unë du me nda parcelën, du me ba dicka me ligjin e shtetit që mos me pengu shkollën ,me maru një objekt dhe mos me pengu shkollën, unë do ta bëjë me norma të shtetit jo të miat. Shteti e ka shitë vetë ,unë nuk e kam vjedhë këtë tokë. Këto janë klithmat e mia të fundit, ata duhet t’i qëndrojnë prapa kësaj pune” – tha Elezi.
Për këtë rast, policia e Ferizajt përmes telefonit është deklaruar se njësitet e këtij stacioni i kanë dalë në ndihmë këtij pronari madje ka arrestuar edhe qytetarë, mirëpo sipas zëdhënësit rajonal togerit Agim Gashi, policia nuk mund ta ruajë pronën e këtij qytetari 24 orë në ditë.