Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj ish- drejtorit të Urbanizmit Faik Grainca, i cili dyshohet se gjatë procesit të Planit Zhvillimor Komunal, ka bërë flasifikim të dokumentit zyrtar dhe ka keqpërdorur pozitën zyrtare, në rastin e shqyrtimit të ankesave dhe peticioneve të qytetarëve të rrugës “Astrit Bytyqi”.
Në këtë sesion, në cilësinë e dëshmitarit është deklaruar një anëtar tjetër i komisionit të PZHK-së, Basri Musa, i cili tha se në mbledhjet e komisonit janë shqyrtuar vetëm dy peticione të kësaj rruge dhe jo peticione të tjera.
“A ka pasur peticione prej banorëve të rrugës “Astrit Bytyqi?”, – pyeti prokurori i rastit Arben Ismajli.
“Kam ndëgju që ka pasur peticione dhe na u janë prezantuar dy peticione për dhe kundër, kompania dhe stafi na e kanë prezantuar në mënyrë vizuele, peticionin me mbi 150 nënshkrime që kanë qenë për ndërtimit kolektiv, dhe 50-60 për banim individual.” – u përgjigj dëshmitari Basri Musa
“Këto peticione a janë paraqitur vetëm si numër, apo në mënyrë detale?” -vazhdoi me pyetje prokurori
“Unë për veti si numër i kam pa, se personalisht nuk më ka interesu.” – u përgjigj dëshmitari Musa.
Dëshmitari Musa, deklaroi se në raportin final, ai vetëm është nënshkruar dhe nuk e ka analizuar se çka po nënshkruan.
“Diku gjysmë ore pa përfundu takimi kam ardhur, si dhe Ismajli kolega tjetër, nja 10 minuta para përfundimit të takimit, veç e kemi nënshkruar praninë që kemi qenë aty, dhe është folur aty, kanë qenë kallabllik, në zyre të drejtorit kemi qenë.”
“A të kujtohet data a ka qenë më 09.08.2017, apo tjetër datë?”, – parashtroi pyetje i dëmtuari Haliti.
“Nuk më kujtohen datat. ’- u pergjigj dëshmitari Musa.
“Atë vendim a ta ka tregu dikush, atë ditë, vendimin e inspektoratit si anëtar i komisionit?”,- pyeti i dëmtuari Haliti.
“Jo nuk më kujtohet!” – tha Musa
“A e ke lexu se çka shkruan në procesverbal?”, – pyeti i demtuari Haliti.
“Unë thashë se në takimin e fundit siç po thoni, tregova që kam qenë me vonesë dhe e kam nënshkruar si prezent që kam qenë në atë takim dhe nuk e kam lexuar e analizuar asnjëherë!”,- tha dëshmitari Musa
Në pyetjen e palës së dëmtuar se a i kanë rishqyrtuar peticionet një nga një, dëshmitari Musa tha se ai personalisht nuk e ka bërë një gjë të tillë.
“Skender Baftiu në seancën e 5 marsit ka deklaru se komisioni një për një peticionet i ka riqshyrtu. A i keni shqyrtuar ju një për një peticionet me anëtarët tjerë të komisionit? – Përsëriti pyetjen Haliti
“Jo, unë s’kam qenë një për një, por komisioni i ngushtë ata kanë punuar rregullisht, se unë s’kam qenë ndonjë person kyç aty.” – U pergjigj dëshmitari Musa.
Prezenca e ekipit raportues të Televizionit Tema në shqyrtimin gjyqësor ndaj Faik Graincës, si duket po i pengon të akuzuarit, pasiqë sipas tij, ky televizion çdo mbrëmje jep raporte nga gjykimi kundër tij, dhe se ai ndihet i diskriminuar në raportimet e këtij mediumi. Grainca poashtu kërkoi nga gjykata masa mbrojtëse nga raportimi i ekipit të TV TEMA, sepse, sipas tij, ky televizion po i frikëson dëshmitarët.
“Unë nuk di ndonjë rast të vetëm që bëhet ndonjë fushatë nga ndonjë televizion sic bëhet nga TV Tema ndaj meje. TV Tema për cdo mbrëmje dhe dy herë në javë tani jep raporte nga ky gjykim duke e transmetuar fjalën e dëshmitarëve, duke e transmetuar fjalën e të dëmtuarve gjojase, dhe unë mendoj se ka shkatuar një kaos, dhe qëllimi është për të krijuar një bindje të opinionit se këtu nuk është duke u mbajtur një gjykim i drejtë dhe tjetër që ka për qëllim t’i friksojë dëshmitarët”, – deklaroi Grainca.
Për hir të objektivitetit ndaj opinionit, ia rikujtojmë të akuzuarit Faik Grainca, se raportimi i fundit i TV TEMA nga ky gjykim ka qenë më datë 5 mars 2019, dhe se nuk qendrojnë deklarimet e tij të dhëna sot në Gjykatë. Pra janë bërë 26 ditë, që kur TV TEMA ka raportuar së fundi nga ky proces gjyqësor ndaj tij, edhepse vullneti i ekipit ekziston që ky gjykim të përcillet në detaje edhe më të vogla.
Gjatë seancës së sotme gjyqësore, trupi gjykues refuzoi kërkesën e banorëve të rrugës “Astrit Bytyqi”, që të vendoset një masë e sigurisë në vendin ku po bëhet ndërtimi i një objekti të lartë. Seanca e radhës ndaj ish-drejtorit të urbanzimit dhe dy të akuzarve të tjerë, do të mbahet më 6 dhe 8 maj.