Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe zyra Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar – GIZ, sot kanë mbajtur një sesion informues me biznesmenët e rajonit të Ferizajt, që do të jenë pjesë e panairit të punës, që sivjet mbahet më 30 mars.
Arbër Jashari, koordinator i panaireve në kuadër të organizatës GIZ, tha se janë ftuar bizneset që t’i shpallin vendet e reja të punës, në mënyrë që të rinjtë t’i kenë këto informata të nevojshme për punësim të punëkërkuesve. Jashari tha se përvec mundësisë që të rinjtë të gjejnë një vend pune, nga ky panair përfitojnë edhe vetë bizneset.
“Është sesion informues se si mund të aplikojnë dhe çka mund të përfitojnë. Bizneset munden me përfitu skema të praktikës në punë, trajnimin e trajnerëve në kompani, trajnimin e punëtorve mbrenda kompanisë për një periudhë të caktuar dhe njëkohësisht një marketing që do ta shfaqim në panairin e punës” – tha Jashari.
Drejtori komunal për zhvillim ekonomik, Zekir Bytyqi, u bëri ftesë bizneseve që të jenë pjesë e këtij panairi.
“Në këtë panair do të ballafaqohen oferta dhe kërkesa, ofertuesit janë bizneset ku do të kenë mundësi që të gjejnë një punëtor të zellshëm, ndërsa të rinjtë mund të gjejnë një punë të përshtatshme. Unë u bëj thirrje bizneseve të rajonit të Ferizajt që të aplikojnë në këtë panair pasi do të jenë përfitues nga kjo skemë”,- u shpreh drejtori Zekir Bytyqi.
Në këtë sesion informues, disa biznese shpallën vende të lira të punës qysh nga sot.
“Realisht një panair i tillë është i mirëserardhur. Realisht ne kemi problem me punëtorë, shumica e dijnë që ne vazhdimisht kërkojmë saldues, dhe këtu e bëj publike që nga neser jemi të gatshëm të pranojmë 20-30 punëtorë, saldues dhe punëtorë të tjerë” – tha Njazi Musliu, pronar i kompanisë “Eurometal”.
Panairi i Punës do organizohet më 30 mars në palestrën e shkollës fillore “Tefik Çanga” të Ferizajt.