Instrument kyç për funksionimin e një shoqërie demokratike është transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve para publikut për veprimet dhe shpenzimet e veta. Mekanizëm ligjor që e garanton këtë proces konsiderohet të jetë drejta për qasje në dokumente publike e definuar me Ligjin për qasje në dokumente publike numër 03/L-215.
Albion Sherifi, zyrtar për marrëdhënie me publikun pranë zyrës së kryetarit të komunës, tha se kërkesat për qasje në dokumente publike kanë qenë kryesisht të natyrës së kontratave dhe marrëveshjeve të ndryshme që ka bërë ekzekutivi. Sipas Sherifit, mungon vetëdijësimi i qytetarëve për të kërkuar informacione për punën që e bën udhëheqësia komunale.
“Qasja në dokumente publike është e rregulluar me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës. Kjo parashihet edhe me rregulloret komunale në këtë rast rregullorja për transparencën komunale. Gjatë vitit 2018 janë parashtruar gjithsej 46 kërkesa për qasje në dokumente publike, nga to 37 apo 90% e tyre u është lejuar qasja, ndërsa 8 prej tyre janë refuzuar me arsyetimet përkatëse, kurse njërës i është lejuar qasja e pjesëshme. Ky numër nuk është shumë i madh krahasuar me kërkesat që ka ndaj Kuvendit të Komunës gjegjësisht Komunës së Ferizajt, por presim që të rritet vetëdija qytetare, por edhe e shoqërisë civile edhe mediave në kërkesa për dokumente publike, edhepse si hap preventiv në këtë pikëpamje ne kemi publikuar një varg dokumentesh, që natyrshëm reduktojnë edhe numrin e dokumenteve për qasje në dokumente zyrtare. Pra nuk është një numër i madh, mirëpo një numër solid prej tyre me 90% me lejim për qasje në dokumente publike” deklaroi zëdhënësi Sherifi.
Sa i përket tarifës së vënë në shumë prej 5 eurove për të bërë kërkesë për qasje në dokumente zyrtare të cilën e ka miratuar Kuvendi Komunal i Ferizajt gjatë këti viti, Sherifi tha se ende është në diskutim kjo pagesë , por sipas tij kjo pagesë prej 5 eurosh është simbolike, marrë parasysh shpenzimet materiale që bëhen për të siguruar këto dokumente.
“Nuk është një shumë e vendosur kuturu pa ndonjë analizë paraprake. Ju e dini që ka kërkesa të shumëta, po flas jo vetëm në nivel lokal por edhe qëndror dhe rregullativat ligjore parashohin që të ketë një kosto apo një pagesë për dokumentet që kërkohen. Gjithmonë flasim për dokumente ku kërkohet angazhim shtesë i zyrtarëve për t’i siguruar ato dokumente apo edhe për t’i bërë kopje këto dokumente dhe këto natyrshëm kanë një kosto. Por kjo si problematikë që është ngritur në asamblenë komunale por edhe në mesin e shoqërisë civile është në fazë diskutimi nga zyrtarë të Drejtorisë së Financave, në mënyrë që ti jipet një drejtim edhe kësaj. Sa kam unë dijeni ende nuk është në zbatim, por janë grupet e ekspertëve që po bëjnë analizën e duhur. Por kërkesat janë të vogla, pagesa është simbolike që mbulon shpenzimet e materialit zyrtar për kthimin e përgjigjjes, dhe si të tilla nuk besoj që paraqet ndonjë vështirësi për kërkuesin e dokumentit” tha Sherifi.
Sipas ligjit për qasje në dokumente publike, të gjithë qytetarët kanë të drejtë qasjeje në të gjitha dokumentet e hapura publike, përfshirë vendimet, shpenzimet, marrëveshjet, kontratatat e realizuara nga ekzekutivi apo legjislativi komunal, përfshirë këtu edhe dokumentet e të gjitha shërbimeve publike që operojnë në vend.