Në vazhdimin e gjykimit të ish-drejtorit të urbanizimit, Faik Grainca, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim, po vijnë duke u shtuar provat se gjatë miratimit të Planit Zhvillimor Komunal të Ferizajt në vitin 2017, janë bërë shkelje të shumëfishta të procedurave ligjore nga ana e autoriteteve komunale për planifikim hapësinor. Sot doli në pah edhe shkelja e radhës, kur kërkesa e Izer Ramadanit, banor i rrugës Astrit Bytyqi, nga ana e dikujt në drejtorinë e urbanizmit i ishte bashkangjitur peticionit të Arben Kurteshit dhe ishte shmangur nga renditja në raportin final të shqyrtimit të ankesave të komisionit komunal për shqyrtim të ankesave në PZHK.
“Peticioni i Izerit, nuk është në raportin e shqyrtimit publik edhe ky ka mundur me u ngatrru, kena mundur me harru. Peticioni i Izer Ramadanit, është shqyrtu në mbledhjen e komisionit por nuk di arsyet se pse nuk është futur në raportin e shqyrtimit publik” tha Baftiu.
Pala e dëmtuar Imri Haliti para trupit gjykues prezantoi një dokument të protokoluar nga Posta me të cilin vërtetohet se drejtoria e urbanizmit e Ferizajt zyrtarisht e ka pranuar urdhëresën nga inspektorati i Ministrisë me datë 11 gusht 2017, duke e kontestuar kështu datën e mbajtjes së mbledhjes së komisionit shqyrtues më 9 Gusht 2017, pasiqë sipas tij, nuk ka pasur mundësi që të mbahet një takim rishqyrtues dy ditë para se të mbërrijë zyrtarisht dokumenti inicues i po atij takimi.
“Ju keni mbajtur mbledhjen më datën 09.08, 2017, në bazë të këtij vendimi, ne kemi një dëshmi të protokoluar që vendimin e keni marrë më 11.08.2017 kurse mbledhjen e keni mbajtë më 09.08.2017, ne kemi dëshmi, që keni mbajtë mbledhje me 09.08, kurse vendimi në mënyrë zyrtare ka arritur më 11.08.2017, ju keni mbajtur mbledhje pa e pasur dokumentin”, tha Haliti.
Në pyetjen e të dëmtuarve nëse peticioni i Arben Kurteshit ishte dorëzuar jashtë afatit, dëshmitari Baftiu theksoi se afati i pranimit të peticioneve ka qenë nga 25 mars deri më 26 prill 2017.
“A mundeni me më tregu se Arben Kurteshi a e ka dorëzuar peticionin mbrenda afatit ligjor? – pyeti Haliti.
“Më datë 26.04, e ka dorzuar peticionin, dhe është brenda afatit të shqyrtimit publik” – u përgjigj Baftiu.
Në vazhdim pala e dëmtuar prezantoi shkeljen e komisionit në raport, ku thuhet se peticioni i Kurteshit ishte deponuar më 25 prill. Sipas dëshmitarit Skender Baftiu, ky ishte një lëshim tjetër i komisionit, por tani i natyrës teknike.
Sipas vendimit të Kuvendit Komunal të Ferizajt, shqyrtimi publik i PZHK-së ka filluar më 27 mars 2017 dhe ka zgjatur 30 ditë, pra deri më 25 prill, apo një ditë para se i akuzuari i dytë, Arben Kurteshi të ketë deponuar peticionin e vet në sportelin komunal të shërbimit për qytetarë.
“Në faqen 37 të PZHK-së shënon se afati ligjor i dorëzimit të shqyrtimit publik ka qenë prej 25.03 -25.04.2017, a e keni çu këtë dokument për votim në Kuvendin Komunal?” – pyeti Haliti.
“Po konsideroj se ai ka mundur me qenëë naj gabim teknik, përndryshe afati i shqyrtimit publik edhe njoftimi edhe kejt kane qenë 25.03 – 26.04” – deklaroi Baftiu.
Dëshmitari Baftiu pranoi se komisioni për rishqyrtim të ankesave vetëm pjesërisht e kishte respektuar urdhëresën e inspektoratit, pasiqë sipas tij, komisioni u ka dërguar përgjegje me shkrim të gjithë dorëzuesve të petiocineve, por nuk e ka marrë parasysh pjesën e urdhëresës ku inspektorati i Ministrisë kishte kërkuar që nga PZHK-ja të largohet destinimi i tokave për ndërtim të lartë apo të ulët.
“Vendimi i inspektoratit të ministrisë ka konisderu se kena ba shkelje për shkak se s’u kemi kthyer përgjigje secilës peticion veç e veç, dhe nuk është dashur me kategorizu ndërtim të lartë dhe të ulët, mirëpo drejtori menjëherë ka bërë shkresë minisitrisë dhe i ka dhënë arsyet pse kena vepru ashtu” – tha Baftiu.
Në këtë seancë, prokurori i shtetit Arben Ismajli, me kërkesë të palës së dëmtuar, deponoi në gjykatë propozimin për masë të sigurisë së pasurisë që është rrjedhojë e veprës penale, ku kërkohet që ndërtimi në rrugën “Astrit Bytyqi” të pezullohet deri në përfundimin e këtij procesi. Kryetari i trupit gjykues, Sahit Krasniqi e pranoi dokumentin për shqyrtim të mëtutjeshëm përmbajtësor dhe vendimarrje nga ana e Gjykatës Komunale të Ferizajt.