Connect with us

Ferizaj

Klubi multietnik i kampionëve

Published

on

Kthimit si kampion i Ligës Botërore të Karatesë për të Rinj nuk i është gëzuar vetëm klubi “Fituesi”, ku Mevlan Dalipi u kalit për të pushtuar majën botërore të suksesit. Atë e kanë nderuar në rresht edhe nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës së tij, “Tefik Çanga” në Ferizaj kur filloristi nga lagja multietnike e Sallahanes u kthye në dhjetor nga Venecia e Italisë. Atje  nxënësi i klasës së tetë si fitues u ngjit në piedestalin e garës.

“E vlerësoj këtë shumë dhe u uroj krejve të arrini suksese si unë”, u ka thënë Dalipi shkollarëve të tjerë.

Dalipi është fjalëpakë e punëshumë, thotë trajneri i tij, Bajram Bajrami, gjatë ushtrimeve në një mbrëmje të ftohtë dimri në sallën e familjes së Rexhep Bajramit, njëri prej trajnerëve më të suksesshëm jo vetëm në Ferizaj për nxjerrjen e kampionëve europianë e botërorë të karatesë.

Varg suksesesh

Suksesi i Dalipit është i fundit në vargun e trofeve, sikur se parapëlqen Rexhep Bajrami t’u referohet karateistëve e karateisteve të tij të përkatësive të ndryshme etnike. “Unë nuk dua të nxjerr vetëm kampionë, por mbi të gjitha sportistë”, përsërit disa herë Rexhep Bajrami gjatë intervistës, teksa i biri, Bajrami i udhëheq karateistët e rinj.

“Është ndër dy ose tri klubet aktive – sepse të regjistruar mund të ketë të tjera që veç janë regjistrua – në krejt Kosovën që është multietnik, që funksionon dhe ka rezultate”, thekson Bajram Bajrami. “Nuk është klub që qëndron sa për sy e faqe, por është një prej klubeve më të forta edhe në Kosovë, edhe në rajon me suksese në gara që zhvillohen në Kosovë, Maqedoni e rajon, sepse unë i ndjek këto gara jashtëzakonisht shumë”.

“Heej”, nxjerrin pasthirrma djemtë e çikat karateiste teksa bëjnë lëvizje refleksive në sinkron. Hapërimi, i shoqëruar me taktika sulmuese e mbrojtëse me duar, përfundon me britmën “Hoo”.

“Shkojmë edhe njëherë”, urdhëron Bajram Bajrami.

Para suksesit të madh të Dalipit, klubi “Fituesi” nxori kampione Evrope edhe Behije Mustafën. Por nën urdhrat e Rexhep Bajramit janë përgatitur edhe kampionë të tjerë me emër, si Shqipe Zogiani, apo Enver Idrizi.

Rexhep Bajramit, veteran i karatesë së Kosovës, nuk ia prishin fare rrjedhën e rrëfimit kronologjik britmat e sportistëve tinejxherë.

“Ky klub është shumë interesant se ka disa karakteristika që nuk i kanë klubet tjera”, thotë Rexhep Bajrami, njëherësh zyrtar i zyrës për komunitete në Komunën e Ferizajt, teksa kthehet në fillimvitet nëntëdhjetë kur ai dhe sportistët e tjerë të Kosovës ishin dëbuar nga palestrat dhe garat zyrtare pasi refuzuan t’i nënshtroheshin regjimit represiv të liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Milosheviq.

“Është klubi i parë pas pavarësimit të sportit. Mandej është klubi i parë që ka arritur deri në 300 nxënës t’i ketë brenda ditës në dy dhoma të ushtrimeve”, kthehet mbi çerekshekulli në kohë Bajrami, që do të kthehej në adresë për qindra prindër që dëshironin t’i përfshinin fëmijët e tyre në aktivitete sportive pavarësisht se Kosova po përjetonte njërën prej dekadave me shtypjen më të madhe në ish-Jugosllavi.

Mbrojtja e lagjes nga ish-karateistë ushtarë

“Është për me u mburr që prej atyre dy dhomave kemi nxjerrë kampionë Kosove, Ballkani,  Evrope”, thotë ai. “Mandej kemi pasur nxënës edhe dëshmorë kombi, si Besim Sopa, por edhe shumë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Rexhep Bajrami thotë se lagja më e madhe multietnike në Ferizaj, ku janë të përqendruar shumica e ashkalinjve dhe romëve, por edhe dhjetëra shtëpi shqiptarësh, nuk është përballur me probleme sigurie në kaosin e pasluftës për shkak se ish-karateistët që i ishin bashkuar UÇK-së nuk lejuan që të rrezikohej paqja dhe bashkëjetesa ndëretnike.

“Edhe ata nuk i kanë lanë, sepse kanë thënë: “Na jemi këtu'”, tregon Rexhep Bajrami, duke i treguar me emra e mbiemra disa prej ish-kryengritësve që i kishte ushtruar para se t’i bashkoheshin luftës për liri.

Ish-karateistët dhe komuniteti sportiv e përshkruajnë Rexhep Bajramin si trajner të rreptë, por të drejtë. Rexhep Bajrami, por edhe i biri i tij, Bajrami, thonë se puna e tyre me sportistët e vegjël nuk përfundon në palestër dhe gara.

“Pasha Zotin, Bajrami shkon interesohet për këta fëmijë edhe në shkollë që ta shohë qysh janë me sjellje e nota”, thekson Rexhep Bajrami, duke marrë shembull sjelljen e lavdëruar të Mevlan Dalipit nga kujdestarja dhe drejtori i shkollës.

“Është model shumë i mirë. Unë shpesh iu them nxënësve se me rëndësi është mësimi, por me rëndësi është gjithashtu që fëmijët të merren edhe me sport, shumë më pak të rrinë rrugëve dhe shumë më shumë të merren me çfarëdo sporti”, ka thënë Qefsere Demiri, kujdestare klase e Dalipit, të cilin shkolla “Tefik Çanga” e ka nderuar me mirënjohje për titullin kampion të Ligës Botërore të Karatesë për të Rinj.

“Më së lehti është me ba një kampion, ose një rrugaç, por me ba tamam sportist është pak ma vështirë”, thekson Rexhep Bajrami, derisa karateistët e karateistet vazhdojnë ushtrimet me shfryrjet “Heej” e “Hoo”.

Bajram Bajrami thotë se nëse “Fituesi” do të kishte mbështetje financiare, “brenda dy vjetësh, i kishim pasë ose dy, ose tri medalje evropiane ose botërore”. Ai ka kryer fakultetin juridik dhe praktikën në një avokati, por të ardhurat familjare i siguron vetëm prej punës me nxënësit karateistë.

Mungesa e ndihmës së shtetit

Dhe sfidat janë të shumta. Rexhep Bajrami e ka ndërtuar me investime të veta palestrën në oborrin e shtëpisë në rrugën “Ejup Statovci”, që është zemra e “Sallahanes”. Telashet shtohen gjatë muajve të dimrit për shkak të kostos së lartë të ngrohjes së palestrës. Ferizaj për rreth një muaj, në funddhjetor dhe fillimjanar, kur ishin temperaturat më të ulëta, u përball me reduktime të ashpra deri në tetë orë për shkak se rrjeti nuk e përballonte kërkesën e madhe të konsumatorëve. Rexhep Bajrami nuk e ka ndier dorën e ndihmës as nga komuna e as nga niveli qendror.

Në vjeshtë, jo vetëm ai, por krejt lagjja u trondit në pasditen e 11 nëntorit 2024 kur F.I. sulmoi me thikë një burrë egjiptian në rrugën “Enver Topalli”, që lidhet me “Ejup Statovcin”, dy vajza të mitura nga komuniteti ashkali në rrugën “Rifat Berisha” dhe një burrë rom nga Shqipëria në pjesën tjetër të qytetit në rrugën “Remzi Hoxha”. Sulmuesi është arrestuar dhe paraburgosur. Viktimat e mbijetuan sulmin. Prokuroria Themelore e Ferizajt tha pas arrestimit se ekziston dyshimi se sulmi ishte kryer me dashje për shkak të përkatësisë etnike të viktimave.

Veterani i karatesë, Rexhep Bajrami, ka thënë se rasti nuk duhet të shfrytëzohet për të fajësuar kolektivisht shumicën shqiptare. “Kushedi çfarë të kaluar ka pasur ai njeri, sepse njeri nuk e bën atë çmenduri pa lu mendsh”, ka ngulmuar ai.

Derisa fëmijët e përkatësive të ndryshme etnike vazhdonin ushtrimet në një natë të acartë dimri, Rexhep Bajrami fliste për lidhjen e nyjshme emocionale që e ka me karateistët e tij tinejxherë. “Nëse unë e mbylli, këta dikun tjetër nuk shkojnë”, thekson Rexhep Bajrami, duke treguar se ishte detyruar ta ndërtonte me paratë e veta palestrën ngase, ndryshe prej shumë klubeve të tjera sportive, Komuna e Ferizajt, ku punon vetë në zyrën për komunitete, nuk ia lejoi “Fituesit” shfrytëzimin e ndonjërës prej palestrave shkollore për ushtrime mbrëmjeve. I biri i tij, Bajrami, i cili ka të fituar medalje evropiane ekipore për regjione, krenohet që e ka nxjerrë Dalipin kampion të Ligës Botërore të Karatesë për të Rinj. “Është rezultati, mundem me thanë më i madhi (nga radhët e komuniteteve) për shkak se është nivel botëror”, thekson Bajrami. “Por Mevlani ka përfaqësuar krejt Kosovën pa dallim”.

\ Rexhep Maloku

Ferizaj

Mbledhja komemorative për gazetarin Sylejman Shaqiri mbahet sot nga ora 14:00 në teatrin “Adriana” në Ferizaj

Published

on

Lajmi u bë i njohur nga familjarët përmes rrjeteve sociale.

Shaqiri ka qenë një figurë e rëndësishme në gazetarinë kosovare për dekada me radhë. Karrierën e tij e nisi në fillim të viteve ’80 në Radio Ferizaj, ku ushtroi detyrën e kryeredaktorit dhe drejtorit.

Më pas, ai vazhdoi punën në Radio Televizionin e Prishtinës (RTP) si gazetar dhe redaktor përgjegjës.

Pas mbylljes së dhunshme të RTP-së në vitet ’90, Shaqiri dha kontribut të rëndësishëm në informimin e popullatës në Kosovë përmes valëve të radio Zagrebit dhe Radio Tiranës.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Shaqiri vazhdoi me angazhim në gazetari, fillimisht në Radio Ferizaj dhe Radio Tema, e më pas  mori pozita udhëheqëse në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), përfshirë atë të drejtorit të përgjithshëm.

Shaqiri lë pas një trashëgimi të rëndësishme profesionale dhe një kontribut të pazëvendësueshëm për gazetarinë në vend.

Në nderim jetës dhe veprës së tij, familja e të ndjerit në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt dhe Klubin e Gazetarëve “Haki Braha” në Ferizaj, do të mbajnë sot (19.04.2025) mbledhje komemorative me fillim nga 14:00 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj.

Continue Reading

Ferizaj

Është ndarë nga jeta mjekja e mirënjohur ferizajase Dr. Rushe Ramadani Rushiti

Published

on

Është ndarë nga jeta mjekja e mirënjohur ferizajase Dr. Rushe Ramadani Rushiti.

Lajmi u bë i ditur nga familjarët dhe kolegët në rrjetin social Facebook.

Dr.Rrushja kreu studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës kurse specializimin për Obstetrikë-Gjinekologji e kreu në Tiranë.

Punën si mjeke e përgjithshme ajo e filloi në vitin 1984 në maternitetin e Shtëpisë së Shëndetit në Ferizaj kurse pas largimit nga puna nga organet e dhunshme serbe vazhdoi punën në maternitetin e improvizuar “Nëna Terezë” në Prishtinë.

Pas çlirimit,  Dr.Rrushja vazhdoi punën në Spitalin e Ferizajt ku organizoi funksionalizimin e Repartit të Gjinekologjisë kurse vitet e fundit ishte angazhuar në poliklinën “Zeka” në Ferizaj.

Mbledhja komemorative për Dr. Rushe Ramadani Rushiti do të mbahet të shtunën (12 prill 2025), me fillim në ora 11:00 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj.

Continue Reading

Ferizaj

Të shtunën disa fshatra të regjionit të Ferizajt do të mbeten pa rrymë

Published

on

Të shtunën (05.04.2025) disa fshatra të regjionit të Ferizajt do të përballen me ndërprerje të planifikuar të energjisë elektrike, si pjesë e punimeve për mirëmbajtjen e rrjetit.

Sipas njoftimit nga KEDS, ndërprerja do të zgjasë nga ora 09:30 deri në 14:30 dhe do të prekë fshatrat Greme, Gaçkë, Burrnik, Izhancë, Kashtanjevë, Bajincë, Semajë, Prushaj dhe Sllatinë si dhe disa biznese private në këto zona.

Ndërhyrja teknike përfshin ndërrimin e shtyllave dhe izolatorëve të dëmtuar, shtrëngimin e përçuesve dhe pastrimin e trasesë për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm të rrjetit elektrik.

Continue Reading

Trending