Në seancën fillestare për vrasjen e Liridona Ademajt, bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli u deklarua “plotësisht i pafajshëm” kurse i akuzuari si kryes i vrasjes, Granit Kokalla u mbrojt në heshtje.
I akuzuari i tretë, Kushtrim Kokalla, tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me avokatin, ndërkaq, i akuzuari i katërt , Tom Dodaj në mënyrë vullnetare e ka pranuar fajësinë, ku sipas aktakuzës, ka thënë se ia ka shitur Murselit armën e vrasjes me 20 fishekë për 280 euro.
Dodaj, u dënua me pesë vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë dhe rasti i tij u veçua nga rasti ndaj tre të akuzuarve të tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt.
Liridona Ademaj, 30 vjeçe, u vra më 29 nëntor 2023 në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Rasti fillimisht ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë autoritetet kishte arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.
Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se Naim Murseli kishte premtuar 30 mijë euro pagesë për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës, dhe madje e kishte mbajtur me njërën dorë, që ajo të mos shmangte plumbin.
Nëse gjenden fajtorë Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla mund të dënohen nga 10 vjet deri me burgim të përjetshëm.