Partitë e koalicionit të udhëhequr prej PDK-së së kryetarit Agim Aliu, nuk ia kanë dalë as në seancën e rregullt të gushtit që t’i bindin të gjithë kuvendarët e tyre që t’i hapet rruga procedurës për dhënien në shfrytëzim deri në pesëmbëdhjetë vjet të çerdheve publike të Ferizajt. Bashkë me kuvendarët e rebeluar të pozitës, edhe kuvendarët opozitarë të tri partive dolën nga salla ende pa nisur diskutimi i kësaj pike të rendit të ditës. Kjo pika kishte dështuar edhe në seancën e fundkorrikut po për mungesë kuorumi.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Ferizajt, Xhavit Zariqi i AAK-së, ua dha kuvendarëve disa minuta pauzë pasi vetëm 19 kuvendarë koalicioni mbetën në sallë, por PDK-ja nuk ia doli t’u mbushte mendjen as tri kuvendareve të saj për t’u kthyer. PDK-së i munguan gjatë gjithë seancës dy anëtarë tjerë Kuvendi, derisa AAK-së një.
Koalicionit nuk i bëri punë as pauza për t’ia lejuar Drejtorisë së Arsimit nisjen e procedurave për dhënien në shfrytëzim të dy çerdheve aktive, që për dy vite kishin funksionuar bazuar në një kontratë të lidhur me organizatën “Caritas Kosova” për t’i rekrutuar dhe paguar edukatoret dhe stafin e tyre. Komuna nuk kishte buxhet të planifikuar për ta. Edukatoret janë përballur qe disa muaj me vonesa pagash.
Dy përpjekjet e pasuksesshme brenda një seance
Me propozimin e ri, parashihej që nga ky ndryshim statusor të përfshihej çerdhja funksionale në “Lagjen e re” dhe ajo afër tregut të gjelbër, bashkë me objektet e çerdheve jofunksionale në Talinoc të Jerlive, Greme, Lloshkobare dhe objektin e papërfunduar në rrugën “Rexhep Bislimi” në qytet.
Në Lloshkobare synohet të kthehet në çerdhe shkolla e re, e cila asnjëherë nuk u lëshua për nxënës derisa komuniteti e hap për të pame kur vdes dikush në afërsi.
Ndryshe nga seanca e kaluar kur opozita akuzonte kryetarin Aliu se çerdhet synon t’ua japë “njerëzve të pushtetit”, pa ofruar emra konkretë, kësaj here nuk ka qëndruar fare për të debatuar para votimit eventual.
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani, ka thënë pas përpjekjes së dytë brenda së njëjtës seancë se kuvendarët e rebeluar është dashur të qëndronin dhe të ofronin propozime dhe alternativa konkrete. Ai ka thënë se me këtë plan synohet të funksionalizohen të gjitha çerdhet “sepse ka kërkesa ekstreme për regjistrim për çerdhe”.
Edhe kryesuesi Zariqi ka thënë se kuvendarët duhet të ofrojnë propozime, “por jo mos me pas asnjë ide sesi duhet të bahet një zgjidhje që është interes i të gjithëve pa përjashtim”.
Kurrkund katër parqet e premtuara të Agim Aliut
Llabjani, i cili në një pikë ndaras, ku ka raportuar për gjendjen e shkollave të komunës së Ferizajt para fillimit të vitit shkollor, ka thënë se në shkollën “Rizah Matoshi” në Nikadin mësimi do të mbahet me një ndërrim krahas vazhdimit të punimeve për rinovim.
Verona Isaki, kuvendare nga radhët e LDK-së, ka thënë se kësaj shkolle i është hequr kulmi para dy javësh, porse punimet janë ndalur pasi që punëtorët e kompanisë që e ka fituar tenderin, kanë shkuar në pushime vjetore. “Domethanë punimet në shkollën ‘Rizah Matoshi’ fillojnë më 2 shtator”, ka thënë Isaki, duke shprehur drojën se reshjet eventuale atmosferike do të pengonin procesin mësimor.
Në këtë seancë, janë shqyrtuar edhe raportet e kompanive publike komunale e rajonale
Brahim Osmani, shef i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, së pari ka shprehur habinë se pse aksionarët e “Pastërtisë” dhe “Ambientit” nuk ishin të pranishëm në sallë, përderisa vetëm “Stacioni i Autobusëve” kishte dërguar një përfaqësues. Ai ka akuzuar pushtetin se ka dështuar të bëjë zgjidhje në kompaninë rajonale për mbledhjen e mbeturinave, “Pastërtia”, ku nga disa herë në vit punëtorët hyjnë në grevë.
Shkarkim të aksionarëve të komunës në këto kompani ka kërkuar Amir Rexhepi i LVV-së.
Edhe Flamur Istrefi, shef i grupit parlamentar të LDK-së, ka thënë se pushteti i Aliut qysh “e ka mbush qytetin me bërllok, bërllok e ka bëa” edhe me mënyrën e menaxhimit të krizave të vazhdueshme të kësaj kompanie, mirëpo tender prej 1.6 milionë eurosh i ka dhënë një kompanie private për pastrimin e disa pjesëve të qendrës së qytetit dhe përreth.
Kuvendari i LDK-së, Besim Haziri para votimit për dhënien e një pjese të hapësirës së stacionit të vjetër të autobusëve “Ambientti”, ka thënë se kryetari Aliu në fushatë u kishte premtuar ferizajasve katër parqe të reja brenda qytetit – “Stacioni i Autobusëve” do të kalojë te stacioni i ri në periferi – porse hapësirën që do të lirohet te stacioni i vjetër po e merr për t’ia dhënë “Ambientit” pa zyra e hapësirë të veten për punëtorët dhe makinerinë. Edhe kjo pikë kaloi me shumicën e koalicionit.
Është shtyrë për seancën e radhës kërkesa e një ndërtuesi privat për t’ia lejuar ndërtesës së tij 19-katëshe në qendër – pa përfshirë katet e bodrumit – edhe tri kate në këmbim të një parcele në Nikadin me kusht që të mos i kërkojë komunës shpronësim për shfrytëzim e tokës për një projekt të realizuar komunal.
//Rexhep Maloku – TV TEMA//