Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar rastin e parë pozitiv me virusin e Nilit Perëndimor në Kosovë.
Në komunikatë thuhet se pacienti 59 vjeç i infektuar me këtë virus është nga Fushë Kosova dhe ai është hospitalizuar në klinikën infektive më 29 korrik 2024 për shkak të simptomave të lodhjes dhe temperaturës së lartë të cilat i janë paraqitur më 22 korrik..
“Pacienti nga data 27.06.2024 deri më 29.06.2024 ka qëndruar në Shëngjin-Shqipëri, ndërsa nga data 13.07.2024 deri më 22.07.2024 ka qëndruar për pushime në Ulqin. Simptomat i janë paraqitur menjëherë pas kthimit nga Ulqini.”
Virusi i Nilit transmetohet tek njerëzit kryesisht nga pickimi i mushkonjave të infektuara derisa rreth 80% e njerëzve të infektuar nuk shfaqin asnjë simptomë, por në raste të veçanta, ky virus mund të shkaktojë sëmundje neurologjike dhe vdekje tek njerëzit. Virusi nuk bartet nga njeriu tek njeriu.
Simptomat e rënda të infektimit me Virusin e Nilit shfaqen me temperaturë të lartë, dhimbje koke, ngurtësi të qafës, çorientim, komë, konvulsione, dobësi muskulore, humbje të shikimit ose mpirje dhe paralizë.
Rreth 1 në 10 pacientë që zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes që prekin sistemin qendror nervor mund të vdesin.
Testet për rastet e dyshimta bëhen në IKSHPK kurse për këtë virus nuk ka vaksinë ose ilaçe specifike, thuhet në njoftim.