Gjersa mësimdhënësit kanë hyrë në javën e dytë të grevës, me kërkesë për nivelizim të pagave me sektorët e tjerë, disa veteranë të arsimit në Ferizajt, japin mendime të ndryshme për bllokimin aktual të procesit arsimor në Kosovë.
Ramadan Ramadani dhe Enver Zhinipotoku, tani pensionistë, thonë se greva e mësidhënësve është e arsyeshme, pasiqë sipas tyre, ata janë nënçmuar me koeficientin që u është caktuar nga Qeveria. Por në anën tjetër, ata thonë se të dyja palët duhet të gjejnë një kompromis, në mënyrë që greva të merr fund.
“A është greva e arsyeshme apo jo secili le ta konkludojë vetë, por unë mendoj se e ka arsyeshmërinë e vet, sepse gjithmonë punëtorët e arsimit është dashur të futen në grevë për ta nxjerrë një dinar më shumë, gjë që tregon se institucionet tona në përgjithësi e neglizhojnë arsimin dhe nga pak e injorojnë, prandaj krejt kjo vjen deri tek një qëndrim më radiakal siç është tani greva. Po të ishte qeveria më e ndërgjegjshme, po e them këtë pasi në çdo shoqëri janë tri shtylla kryesore që duhet të avancohen, në radhë të parë është arsimi, për arsye se nga aty është burimi i kuadrave të shoqërisë, e këtu ata me ligjin e ri për paga që është publikuar, arsimi figuron në shkallën më të ulët të koeficinetit që do të thotë se nuk është barazuar as me një shofer të qeveritarëve. Besoj se duhet t’i thërrasin arsyes edhe qeveria por edhe Sindikata që të gjindet një kompromis që të dilet nga kjo amulli”, shprehet Ramadan Ramadani.
“Ende pa përfunduar greva në shëndetësi, arsimtarët futen në grevë dhe kjo është e pa precedencë pasi këto dy shtresa janë shtresat më të kualifikuara dhe kjo tregon se pushteti nuk e ka dertin e intelegjencës. Në arsim dhe shëndetësi janë njerëzit më të shkolluar që i ka populli, sepse askush nuk mund të jetë mjek nëse nuk e ka shkollën e kryer, mua më dhimbsen nxënësit por arsimtarëve u jap të drejtë sepse që një javë qeveria i ka ulur veshët, dhe mbrëmë kryeministri bisedon më këshillin grevist dhe arrihet një kompromis që nuk e pranojnë arsimtarët dhe përsëri greva vazhdon. Nëse Kosova ka pare për me pagu “Bechtel-Enka”-n 53 milionë për gabime të atyre që nuk i kanë paguar me kohë, pse nuk mund të gjejë pare edhe për mësidhënësit. Kur një kryeministër merr pagë tri herë më shumë se gjithë kryeministrat e ballkanit atëherë pse mos të jetë i dinjitetshëm edhe mësuesi”, deklaroi profesori i pensionuar i sociologjisë Enver Zhinipotoku.
Por, edhe Ramadani edhe Zhinipotoku, shprehen se krahas rritjes së pagave duhet të ngritet edhe cilësia në arsim, sipas tyre, arsimi kosovar është degraduar mjaft shumë, dhe përmirësimi i saj arrihet kur politika të “largojë duart” nga shkollat.
“Asnjëherë nuk ka qenë që një shërbëtor ta emërojë Kryetari i Komunës, gjithmonë përzgjedhjen e kuadrit e ka bërë kryesia e shkollës, por kjo nuk i konvenon politikës momentale, ajo përmes drejtorëve dhe segmenteve të tyre nëpër shkolla i siguron votat dhe kështu i ka futur duart në shkollë deri në bërryl. Unë mendoj se gjendja në arsim nuk mund të përmirësohet nëse nuk plotësohen këto dy kushte, nëse arsimtarëve nuk u sigurohen paga të dinjiteteshme duke kërkuar edhe punë prej tyre, nëse politika nuk i çon duart nga shkollat e universitetet. Unë gjysmën e arsimtarëve që janë në punë nuk i kisha lënë në ato vende të punës, është fatkeqësi se kush na punon në shkolla e në universitetet”,tha Zhinipotoku.
“Mendoj se krahas kërkesës për nivelizim të pagave duhet të bëhet edhe një kërkesë ajo për përmirësimin e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit nga ai fillor deri tek ai universitar. Arsimi në vend ka degraduar mjaft shumë, por për tu nxjerrur nga kjo situatë duhet të fillojë një reformë krejtësisht e re dhe në përputhshmëri me kushtet dhe standartet tona të cilat i kemi, e jo reformë me perendimin e kushtet çfare i kemi”,tha Ramadani.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbrëmë pas negociatave me krerët e sindikatës ka deklaruar se qeveria do të rrisë pagat për mësimdhënësit, por SBASHK-u nuk doli i kënaqur nga kjo ofertë, duke lajmëruar se greva vazhdon edhe më tutje deri në përmbushje të kërkesave.