Kuvendi Komunal i Ferizajt nuk ka pasur kuorum pas diskutimeve për ta kaluar propozimin e Drejtorisë së Arsimit që të privatizohen gjashtë çerdhe publike në qytet dhe fshatra, në afat prej pesëmbëdhjetë vjetësh pasi disa kuvendarë të koalicionit të udhëhequr nga PDK-ja e kanë lëshuar sallën bashkë me kolegët e opozitës në seancën e sotme.
Drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani, ka thënë se ligjet dhe udhëzimet administrative lejojnë funksionimin e çerdheve me partneritet publiko-privat. Por, Komuna ende nuk ka bërë zgjidhje të qëndrueshme për pagat e dy çerdheve publike në qytet, që për dy vite kishin funksionuar bazuar në një kontratë të lidhur me organizatën “Caritas Kosova” për t’i rekrutuar dhe paguar edukatoret dhe stafin e tyre. Komuna nuk kishte buxhet të planifikuar për ta dhe edukatoret janë përballur qe disa muaj me vonesa pagash.
Me propozimin e ri, parashihej që nga ky ndryshim statusorë të përfshijë çerdhen funksionale në “Lagjen e re” dhe atë afër tregut të gjelbër, bashkë me objektet e çerdheve jofunksionale në Talinoc të Jerlive, Greme, Lloshkobare dhe objekti i papërfunduar në rrugën “Rexhep Bislimi” në qytet.
Në Lloshkobare synohet të kthehet në çerdhe shkolla e re, e cila asnjëherë nuk u lëshua për nxënës derisa komuniteti e hap për të pame kur vdes dikush në afërsi.
Opozita e ka akuzuar Qeverinë e kryetarit Agim Aliu se dëshiron t’ua japë çerdhet “njerëzve të pushtetit”, por nuk ka ofruar emra konkretë. Pushteti i ka hedhur poshtë akuzat. Propozimi është lënë që të diskutohet edhe në seancën e ardhshme kur pozita shpreson se do ta ketë kuorumin dhe numrat për ta kaluar.
Debat mes pozitës e opozitës ka nxitur edhe raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit, që dëshmon se Komuna e Ferizajt nënshkroi kontrata me kompani private në vlerë prej miliona eurosh pa pasur planifikime të domosdoshme ligjore për financimin e tyre me projektimet buxhetore. Ndryshe nga debati për çerdhet, askush nga kuvendarët e pushteti nuk i ka dalë në krah Qeverisë së Aliut, i cili në raport është pajtuar me të gjithë gjetjet e keq menaxhimit financiar.