Dardan Krivaqës i është rikonfirmuar dënimi me burgim të përjetshëm për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmanit, ndërkaq Arbër Sejdiu është dënuar me pesëmbëdhjetë vjet prapa grilave për ndihmë Krivaqës gjatë vrasjes mizore në banesën e të akuzuarit kryesor, më 22 gusht 2021, në Ferizaj. Si në gjykimin e parë, edhe në të dytin pas vendimit të Gjykatës së Apelit për rigjykim, të akuzuarit janë liruar nga akuzat për dhunim dhe ndihmë në dhunim.
Aktgjykimi i procesit të ri gjyqësor është lexuar sot nga Sahit Krasniqi, kryetar i trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Ferizajt.
Gazmend Rexhepi, avokat i familjes Osmani, ka thënë se do ta apelojë pjesën e aktgjykimit që i liron të dënuarit nga akuza për dhunim dhe ndihmë në dhunim. “Pjesërisht i kënaqur, përsëritje e vendimit të kaluar. Do të isha tërësisht i kënaqur nëse edhe i akuzuari i dytë do ta merrte vendimin meritor, burgimin e përjetshëm, për atë që jemi thirr prej fillimit”, ka thënë Rexhepi, i shoqëruar prej familjarëve.
Krasniqi, në emër të trupit gjykues, ku përfshihen edhe gjyqtarët Habib Zeqiri dhe Fitore Daci, ka shpjeguar gjatë leximit të vendimit se vdekja e Osmanit ishte rezultat i dhunës së ngadalshme mizore. Ai i është referuar raportit të autopsisë dhe dëshmisë së ekspertit të mjekësisë ligjore, Naim Haliti.
“… dhe në dëshminë e tij në këtë gjykatë vetëm sa e konfirmon vdekjen në mënyrën më mizore të të ndjerës Marigona Osmani”, ka lexuar Sahiti, duke iu referuar përmbajtj4es së raportit, ku thuhet shprehimisht se “vdekja e të ndjerës ka ardhur si pasojë e lëndimeve të shumëfishta, që ndryshe quhet si politraumë”. Në arsyetim është thënë gjithashtu se Krivaqa i kishte shkaktuar dëmtime të organeve vitale të Osmanit. Sipas gjykatës, Sejdiu e kishte ndihmuar gjatë gjithë kohës Krivaqën.
Procesi i ri gjyqësor për vrasjen e Marigona Osmanit nisi më 24 maj 2024 pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të rishqyrtuar vendimet e Gjykatës Themelore të Ferizajt për dënimet e Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiun.
Më 4 gusht të vitit të kaluar, Krivaqa u dënua me dënim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit, ndërkaq u lirua nga akuza për dhunim. Sejdiu u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje, por u lirua nga vepra penale e ndihmës në dhunim.
Arbnora Shefkiu, avokate e mbrojtjes, ka paralajmëruar se do të paraqet ankesë në Gjykatën e Apelit.
Sipas aktakuzës, Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.
Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.
Mirëpo Gjykata e Apelit, me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim. Krivaqa e Sejdiu edhe në seancën e majit të procesit të rigjykimit, Krivaqa e Sejdiu thanë se nuk ndiheshin fajtorë për akuzat e prokurorisë.
Skënder Musa, avokat i Krivaqës, e ka akuzuar prokurorinë në seancën e parë të rigjykimit se nuk i ka vërtetuar plotësisht pretendimet në procesin e parë gjyqësor. Mbrojtja ka pretenduar se Krivaqa ka qenë nën ndikimin e substancave narkotike në kohën e kryerjes së vrasjes së Osmanit. Musa nuk ka qenë sot i pranishëm në seancën e shpalljes së aktgjykimit.
Avokati i familjes Osmani, Gazmend Rexhepi, kishte thënë se Apeli nuk është dashur ta kthente rastin në rigjykim, sepse, sipas, në gjykimin e parë ishin shterë të gjitha mjetet ligjore. Ai kishte e cilësuar si “shumë konfuz” vendimin e Apelit, duke theksuar se është e drejtë e gjykatës për ta përcaktuar shkallën e mizorisë me të cilën ishte shkaktuar vdekja e Osmanit.
Në seancën e 25 korrikut, në fjalën përfundimtare të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i akuzuari Dardan Krivaqa tha se tani e ndjera Marigona Osmani ishte personi që e ka dashur dhe se vrasja e saj nuk ka qenë e qëllimshme, raportoi “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Valdet Avdiu kishte thënë se i qëndron në tërësi fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar më 1 gusht 2023 dhe një kopje të saj ia dorëzoi trupit gjykues.
Ai i propozoi Gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë për veprat për të cilat akuzohen.
Është ndarë nga jeta mjeku ferizajas Dr. Abaz Beqa.
Njoftimi u bë nga familjarët e të ndjerit.
Dr. Abaz Beqa përfundoi studimet për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe specializoi në gastroenterologji dhe hepatologji në Kroaci. Si njëri nga specialistët e plejadës së parë të mjekëve ferizajas , që nga viti 1978, ai shërbeu me përkushtim në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj.
Përveç angazhimit të tij profesional, Beqa ishte aktiv edhe në organizatën e mjekëve të pavarur dhe luajti një rol kyç në organizimin e spitalit për rastet emergjente. Ai gjithashtu dha një kontribut të rëndësishëm në arsim, duke qenë mësimdhënës i hematologjisë për gjeneratën e parë të Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj.
Mbledhja komemorative për të ndjerin Dr. Abaz Beqa, do të mbahet të premten, më 6 dhjetor me fillim nga ora 10:30, në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, kurse ceremonia e varrimit do të bëhet në ora 12:00, në varrezat e reja të qytetit.
Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji F.I. që dyshohet se sulmoi dhe theri me thikë katër persona në Ferizaj.
I dyshuari ishte dorëzuar në polici të martën, duke e pranuar sulmin ku si pasojë në mesin e të plagosurve ishin edhe dy fëmijë të moshave 10 dhe 14-vjeçare .
Prokuroria ka thënë se i dyshuari i sulmoi viktimat shkaku i përkatësive etnike pasi që të katër të plagosurit janë të komunitetit RAE.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datën 11 Nëntor 2024, rreth orës 15:30 minuta, në rrugën “Rifat Berisha “ në Ferizaj, me dashje, për shkak përkatësisë etnike, i pandehuri F.I., ka tentuar t’i privojë nga jeta dy të mitura, pjesëtarë të komunitetit RAE.
I poandehuri i sulmon ato nga mbrapa dhe i godet disa herë në pjesën e shpatullave me një thikë kuzhine me gjatësi 32 cm dhe gjatësi të tehut prej 19 cm, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Më tej, Prokuroria thotë se i pandehuri F.I., me datë të njëjtë rreth orës 15:05 minuta në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, me dashje për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin N.M., derisa ai ishte duke hyrë në një lokal.
I pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur në pjesën e kokës, të fytit dhe në faqen e djathtë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Më pas, rreth orës 15:53 minuta, në rrugën “Halim Spahiu” në Ferizaj, i pandehuri sulmon edhe të dëmtuarin E.A., duke tentuar të privoj nga jeta, duke e goditur me thikë nga mbrapa, në pjesën e shpatullave, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Me këto sulme dhe plagosje, i pandehuri dyshohet se ka kryer në vazhdimësi veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.
Një vajzë 10-vjeçare, e plagosur pas sulmit me thikë në Ferizaj, është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në sallën e operimit në spitalin Emergjent të QKUK-së në Prishtinë.
Në sulmin me thikë pasditen e sotme, janë plagosur katër persona, përfshirë dy të mitura. Për këtë sulm është arrestuar një 59-vjeçar.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka thënë se në klinikë janë sjellë tre persona për t’u trajtuar, ndërsa dy janë në gjendje stabile e një në gjendje më të rëndë, transmeton Koha.net.