Connect with us

Kosovë

Të dyshuarit për mashtrime me patentë shoferë dërgohen në mbajtje për 48 orë

Published

on

Gjashtë persona të arrestuar, një i lënë në liri për shkaqe shëndetësore dhe tre të tjerë në kërkim, është bilanci i aksionit të sotëm kundër mashtrimeve me patentë shoferë që u zhvillua nga policia e Kosovës në Pejë, Deçan, Fushë-Kosovë dhe në Prishtinë.

Të arrestuarit dyshohen për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, legalizimit të përmbajtjes së rremë dhe për veprën penale të ndihmës për kryerjen e veprës penale.

Në komunikatën për media, policia bën të ditur se gjatë këtij aksioni janë bastisur 10 lokacione,  8 prej tyre në regjionin e Pejës dhe 2 në regjionin e Prishtinës. 

Policia thotë se personat e arrestuar, 6 prej tyre persona zyrtarë nga departamenti i patentë shoferëve, duke bashkëvepruar dyshohet se kanë vepruar jashtë rregulloreve dhe udhëzimeve të Ministrisë së Infrastrukturës, duke organizuar provime për marrjen e patentë shoferëve jashtë orarit zyrtar të punës, duke përdorur metodën e testimeve në formë fizike dhe duke mos i përfillur format zyrtare elektronike.

“Dyshohet se testet janë plotësuar në emër të kandidatëve nga ana e zyrtarëve të njësisë së patentë shoferëve në Pejë dhe të njëjtat në mënyrë të kundërligjshme janë futur në sistem nga ana e zyrtarit të IT- së. Po ashtu tre të dyshuar pronarë të auto shkollave dyshohet se kanë rekrutuar kandidatë dhe kanë siguruar dokumentacion duke falsifikuar dokumentet e nevojshme, me qëllim të futjes së tyre në provim”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu gjatë operacionit policor të bastisjeve. janë sekuestruar 7800 euro, 6 telefona mobilë si dhe materiale të ndryshme lidhur me testime të kandidatëve.

Personat e dyshuar janë intervistuar në prezencën e avokatëve të tyre mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të lëndës, 6 prej tyre iu është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve kurse një person i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt për shkaqe shëndetësore.

Kosovë

Aktakuzë ndaj 45 personave për rastin “Banjska”

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave të dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Në konferencën e sotme për media, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se pas një hetimi intensiv disamujor dhe përmbledhjes së provave, është ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast të madh dhe kompleks.

Isufaj tha se për 45 të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin,  vepra penale kudër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, financimi i terrorizmit dhe shpëlarjes së parave.

Kurse Naim Abazi, prokuror i rastit, ka thënë se gjatë hetimeve janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur derisa si dëshmi janë marrë 120 pajisje elektrike, 1266 armë e pajisje të tjera, janë sekuestruar pasuri të luajtshme e të paluajtshme, prona dhe vetura të blinduara.

Në mesin e të akuzuarve kryesorë është edhe udhëheqësi i grupit, Millan Radoiçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, në fshatin Banjskë të Zveçanit, grupe të armatosura të ardhur nga Serbia sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku, derisa në përleshjet e më pastajme të armatosura u vranë tre sulmues serbë.

Millan Radoiçiq, asokohe nënkryetar i Listës Serbe, mori përgjegjësinë për këtë sulm të armatosur.

Continue Reading

Ferizaj

Lansohet thirrja e dytë publike për subvencionim deri në 5,500 € për izolim të shtëpive

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe zyrtarë të tjerë, kanë lansuar sot thirrjen e dytë publike për subvencionimin e masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit. Procesi i aplikimit do të hapet nesër, duke ofruar mundësi për qytetarët që të përfitojnë nga masa si izolimi i mureve të jashtme, izolimi i kulmit, dhe ndërrimi i dritareve dhe dyerve të jashtme, me mbështetje financiare deri në 45% të shumës së investimit. Mbështetja totale për një përfitues mund të arrijë deri në 5,500 euro.

Kryeministri Kurti theksoi se interesimi për thirrjen e parë vitin e kaluar ishte i madh dhe për këtë arsye, thirrja e dytë do të jetë e hapur për vetëm dy javë, ndryshe nga planifikimi fillestar.

“Thirrja ka qenë e parimit të njëjtë, kush vjen i pari, shërbehet i pari. Interesimi ka qenë i lartë dhe si rezultat, këtë herë thirrja do të jetë e hapur për dy javë,” deklaroi Kryeministri Kurti. Ai u bëri thirrje qytetarëve të aplikojnë sa më parë për të përfituar nga kjo mundësi e rëndësishme për të ulur shpenzimet e energjisë dhe për të përmirësuar cilësinë e jetesës në shtëpitë e tyre.

Ministrja Rizvanolli shtoi se ky projekt është pjesë e pakos së përkrahjes emergjente të BE-së për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku Kosova ka përfituar 75 milionë euro, shumën më të lartë për kokë banori në rajon. “Qëllimi i kësaj pakoje ishte zbutja e efekteve socio-ekonomike. Masat janë dizajnuar për të përmirësuar cilësinë e jetesës dhe për të ulur shpenzimet e energjisë për familjet dhe bizneset tona,” shpjegoi ajo.

Qytetarët që dëshirojnë të aplikojnë duhet të sigurojnë që kanë një llogari të hapur në platformën e-Kosova dhe të kenë kryer verifikimin e nivelit të dytë. Aplikimi përfshin disa hapa të detajuara që duhet të ndiqen për të përfunduar me sukses procesin.

Për më shumë informacione dhe udhëzime për procesin e aplikimit, qytetarët mund të vizitojnë faqen zyrtare të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ose të kontaktojnë zyrat e FKEE në Prishtinë ose në Mitrovicën e Veriut.

Continue Reading

Kosovë

Raportohen 3 raste të vdekjes dhe mbi 660 raste pozitive me Covid-19

Published

on

Në dy javët e fundit tre persona kanë vdekur nga pasojat e infektimit me koronavirus derisa janë regjistruar 661 raste pozitive.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se nga rastet e raportuar 119 prej tyre i takojnë grup- moshës prej 50 deri në 59 vjeç kurse 116 raste të tjera janë të grup-moshës prej 20 deri në 29 vjeç.

Në përditësimin e fundit, IKSHPK kërkon ngritje të vigjilencës nga ana e punëtorëve shëndetësorë, respektimin e masave mbrojtës dhe reduktimin e vizitave të familjarëve në institucionet shëndetësore që merren me trajtimin e rasteve me COVID-19.

Rastet që rezultojnë pozitiv në SARS-CoV-2 rekomandohet të izolohen për 5 ditë, kurse kthimi në aktivitetet normale pune të bëhet sipas rekomandimit të mjekut.

“Vaksinimi vazhdon të jetë masa mbrojtëse me efikase kundër COVID-19 dhe gripit, veçanërisht ndaj formave të rënda të sëmundjes. Mbrojtja përmes vaksinës e individëve në rrezik të lartë të rezultateve të rënda (si p.sh. të moshuarit) mbetet i rëndësishëm,” thuhet mes tjerash në njoftim.

Continue Reading

Trending