Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar se është likuiduar personi që vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër të enjten në Loznicë.
Identiteti i personit të vrarë nuk është përmendur në komunikatën e lëshuar nga autoritetet serbe, por mediat atje raportuan se personi i vrarë dyshohet të jetë Faton Hajrizi.
Sipas burimeve të pakonfirmuara, thuhet se i dyshuari pas incidentit të djeshëm pa sukses kishte tentuar që të kalojë lumin Drina dhe të arratiset në Bosnje e Hercegovinë. Ai më pas ishte fshehur në një kompleks të braktisur fabrike.
Policia serbe i ra në gjurmë të dyshuarit pas informacioneve që kishte marrë nga qytetarët vendas që e kishin parë atë afër një pike karburanti.
Sipas gazetës serbe “Novosti” i dyshuari Hajrizi u vra pasi i bëri rezistencë njësive të shumta policore që kishin rrethuar kompleksin e fabrikës ku ai po fshihej.
Hajrizi, shtetas i Kosovës, dyshohet se kishte udhëtuar nëpër Serbi me dokumentet e vëllait të tij, Artanit, të cilat janë gjetur në vendngjarje pas vrasjes së policit serb.
Ndërkohë, Artani është paraqitur para autoriteteve në vendin ku jeton në Gjermani dhe ka thënë se i vëllai, Fatoni, ia kishte vjedhur pasaportën gjatë kësaj jave në Gjermani.
Që nga 6 korriku, Faton Hajrizi kishte qenë në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi ishte arratisur nga burgu i Smerkonicës.