Në shënim të 248 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së SHBA-ve, Policia Rajonale e Ferizajt pranoi nga KFOR-i amerikan letra falënderimi për disa pjesëtarë të saj dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.
Në komunikatën për media, bëhet e ditur se në ceremoninë që u zhvillua në zyrat e Policisë në Ferizaj, koloneli Terry A. Saul, Komandant i Grupit të Mbështetjes Zona-Ballkan (ASG-B) nga kampi ushtarak i KFOR-it amerikan në ‘’Bondsteel’’, falënderoi dhe lavdëroi Drejtorin Rajonal, Nënkolonelin Faton Pllana dhe gjithë policët për realizimin e planit operativ të koduar ‘’25 Vjetori i Kampit Bondsteel’’ në Sojevë të Ferizajt, që u mbajt më 09.06.2024.
Në atë manifestim, disa njësi të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj të mbështetura edhe nga njësi tjera të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, kanë qenë të angazhuara dhe të caktuara në detyra të përbashkëta me policinë ushtarake të KFOR-it amerikan në ‘’Bondsteel ‘’, në perimetrin e jashtëm dhe brenda kampit ushtarak, për mbarëvajtjen e manifestimit ku ishin të ftuar personalitete të larta të shtetit, ushtarakë dhe shumë qytetarë.
Drejtori Rajonal i Policisë , Nënkoloneli Faton Pllana në emër të Drejtorisë Rajoanle te Policisë në Ferizaj fillimisht uroj të gjithë pjesëtarët e KFOR-it amerikan dhe popullin amerikan për 4 Korrikun, ‘’Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, derisa falënderoi kolonelin Terry A, Saul për bashkëpunimin që policia rajonale e Ferizaj për herë të parë realizoi planin e përbashkët me Policinë Ushtarake në këtë 25 vjetor të themelit të kampit ushtarak të KFOR-it amerikan ‘’Bondsteel’’.
Drejtori Pllana, mes tjerash theksoi përkushtimin e policisë Rajonale të Ferizajt në ofrimin e mbështetjes dhe përkrahjes policore për të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë e vendorë, sa herë që paraqitet nevoja.
Në fund të kësaj ceremonie u shpërndanë letra falënderimi nga të dyja institucionet.