Shkrimtari shqiptar me nam botëror, Ismail Kadare, ka vdekur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në moshën 88-vjeçare.
I lindur në Gjirokastër më 28 janar të vitit 1936, Kadare është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.
Kadare u diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe në vijim studioi në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë.
Ai emigroi në Francë në vitin 1990 kurse në dekadat e fundit, jetoi dhe shkroi midis Parisit e Tiranës.
Në vitin 1996 u bë anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale dhe Politike kurse vitin e kaluar, presidenti francez, Emmanuel Macron, i dha Kadaresë titullin “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit” gjatë një vizite që bëri në Tiranë.
Më 1998, kur edhe nisi lufta në Kosovë, Kadare publikoi librin “Tri ditë zie për Kosovën”.
Librat e tij tashmë janë përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës derisa një nga kryeveprat e tij, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” hyri në 100 librat e shekullit të gazetës Le Monde.
Krahas çmimeve të tjera, më 2019 fitoi çmimin prestigjioz amerikan të letërsisë “Neustadt. Gjatë ndarjes së këtij çmimi Kadareja ishte vlerësuar si “një nga shkrimtarët më të mëdhenj në botë dhe një kampion i demokracisë dhe i fjalës së lirë”.
Kadare disa herë qe propozuar për çmimin “Nobel” për letërsi.
Duke reaguar pas lajmit për vdekjen e Kadaresë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë tha se “ikja e tij është e pangushëllueshme” për të dhe për letërsinë shqipe.
“Letërsisë shqipe do t’i mungojë kryemjeshtri, letërsisë evropiane do t’i mungojë fizikisht zëdhënësi i një kombi e një rajoni, qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha”, thuhet në reagim.